13:48 / E Martë, 15 Tetor 2019 / indeksADMonline

Prokurori i Shtetit ende s’e ka marrë raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin “Dehari”

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se deri në momentin e lëshimit të kësaj komunikate, nuk e ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin Dehari nga Instituti i Lozanës në Zvicër.

Për hir të informimit të drejtë të opinionit, në momentin që ky raport të mbërrijë përmes Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, dhe i njëjti të pranohet në Prokurorinë e Shtetit, menjëherë do të njoftohet opinioni publik, thuhet në njoftim.

Astrit Dehari aktivist i Vetëvendosjes vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në lidhje me sulmin e gushtit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Në dhjetor 2016 Kuvendi miratoi një rezolutë sipas së cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA-ja dhe Qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet, për çka kishte ndarë 50 mijë euro.

Ndryshe, prindërit e Astrit Deharit patën deklaruar më 2017 se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër.