23:06 / E Mërkurë, 03 Prill 2019 / indeksADMonline

Prokurori Hamiti: I dyshuari për vrasjen në Lipjan nuk është intervistuar ende

Është arrestuar i dyshuari për vrasjen e 36 vjeçarit, Florent Ahmetaj nga Rrezalla e Skenderajt.

Ahmetaj është vrarë përderisa ishte duke punuar në një kazino në Lipjan. Vrasja e tij ndodhi më 20 mars dhe prej asaj nate i dyshuari ishte në arrati.

Arrestim i të dyshuarit u bë sonte rreth orës 20:00, kurse lidhur me këtë arrestim janë deklaruar edhe Prokurori i rastit, Armend Hamiti si dhe Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës, Rexhep Sijarina si dhe zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti ka deklaruar se pas një pune intesive dy-javore është arritur të identifikohet dhe arrestohet i dyshuari, por që i njëjti ende nuk është intervistuar.

“Sa është arrestuar, tani do të hyhet në ato procedura nëse nuk ka mbrojtës do t’i sigurohet një mbrojtës, pra me të gjitha të drejtat siç e sheh Kodi i procedurës dhe më pas do të vazhdohet. Pra është herët s’ka dy orë që ka ndodhur arrestimi, por edhe nëse sonte bëhet shumë vonë, nesër në mëngjes mund të fillojë intervistimi”, tha Hamiti.

Tutje ai shtoi se do të merret edhe deklarata nëse ka ndonjë person tjetër të involvuar në këtë rast.

“Unë isha Prokuror i rastit edhe para dy jave kur ka ndodhur rasti dhe që nga ajo natë tragjike nuk është ndalur puna intensive në bashkëpunime me policinë dhe kemi arrit tek identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarit. Siç e ceki edhe komandanti janë gjetë edhe disa prova materiale të cilat do të shkojnë menjëherë për ekzaminim të mëtejshëm “ka  thënë Hamiti, raporton Indeksonline.

“Do të merret deklarata nëse ka ndonjë person tjetër të involvuar ku nuk kemi informatat momentalisht. Ka qenë një punë intesive, ku hetuesit ka 24 orë nuk janë ndalë. Kjo tregon se një bashkëpunim i mirë mes policisë dhe prokurorisë ka rezultate të mira në luftimin e krimit”përfundoi Hamiti./Indeksonline/