11:38 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Prokurori heq dorë nga dëshmia e Kadri Veselit për Albin Kurtin

Prokurori Vesel Gashi ka hequr dorë nga dëgjimi i Kadri Veselit në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Monitoruesi i KALLXO.com raporton se kërkesa e prokurorit ka ardhur pas përfundimit të dëshmisë së deputetit Armend Zemaj.

Kreu i Kuvendit Kadri Veseli ishte paraparë të dëshmojë sot në këtë proces mirëpo ende nuk janë të qarta arsyet e mosdëshmisë së tij.

Heqja dorë nga dëshmia e Veselit është kundërshtuar nga mbrojtja ndërsa Albin Kurti e ka pyetur prokurorin nëse ai është i kapur pasi hoqi dorë nga dëshmia e Veselit.

“Prokuror pse hoqe dorë? A je i kapur?” ka pyetur Kurti ndërsa deputetja Haxhiu ka kërkuar sqarime pse zyrtarë të protokollit janë thirrur për të dëshmuar e Kadri Veseli jo. Arsyetimi zyrtar i prokurorit për mosparaqitjen e Veselit është se dëshmia e tij është e ngjashme.