Prokurori i Shtetit do t’i hetojë bizneset për ngritjen e çmimeve

Pas ngritjes enorme të çmimit të konsumit të përgjithshëm, veçmas vajit ushqimor, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që kanë keqpërdorur pozitën monopoliste në treg.
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me Inspektoratin e Tregut, do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg.
Sipas një njoftimi për media, veprimet do të ndërmerren ndaj atyre të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke reaguar pas rritjes së çmimeve të disa produkteve bazike, ka ftuar sot Prokurorinë e Shtetit që të marrë veprime kundër këtyre personave.
Lidhur me ngritjen e çmimeve të vajit kanë reaguar sot edhe kryeministri Albin Kurti ka thënë se çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë.
Kurti gjatë vizitës në kompaninë e vajit “Floil” në Gjilan ka theksuar se rritja e çmimeve është artificiale.
Ndaj ngritjes së çmimit të vajit kanë reaguar edhe partitë politike në vend, të cilat kanë kërkuar reagim nga Qeveria dhe organet kompetente.
Përveç çmimit të naftës, i cili është duke u ngritur në vazhdimësi në Kosovë, ngritje të çmimeve janë duke pësuar edhe produktet ushqimore.
Ngritje enorme e çmimit të vajit ushqimor është vërejtur gjatë dy ditëve të fundit në marketet e vendit tone. Nga 1.60 euro sa ishte dy ditë më parë, çmimi i vajit është ngritur në 3.49 euro për një shishe, që ka më pak se një litër.