Prokurori i Shtetit: Ende asnjë i ndaluar për veprat penale kundër të drejtave të votimit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se deri në këto momente nuk ka ndaluar asnjë person për vepra penale kundër të drejtave të votimit.
Gjatë ditës së sotme, rreth 100 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial kanë punuar dhe ende janë duke punuar me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Ndërkohë gjatë ditës, bazuar në njoftimin e lëshuar për media, Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm pesë prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Rasti i parë është iniciuar në fshatin Ranillug –Gjian, për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i dytë është iniciuar në Zhegër – Gjilan, për veprat penale “Pengim i procesit të votimit” dhe “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i tretë është iniciuar në Prizren, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i katërt është iniciuar në Drenas, për veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, rasti i pestë është iniciuar në Suharekë, për veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Prokurorët e Shtetit njoftojnë se do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.

