21:04 / E Enjte, 04 Tetor 2018

Prokurori kërkon ekspertizë rreth mënyrës se si e trajtoi mjeku pacienten

Në gjykimin e mjekut Hajrullah Binakaj, i akuzuar për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor në spitalin “Heart”, prokurori ka kërkuar një ekspertizë rreth mënyrës se si i pandehur e ka trajtuar pacienten R.A.

“Propozimi im është që të caktohet grupi i ekspertëve të QKUK-së, të Repartit të Kardiologjisë në Prishtinë, në mënyrë që të japin një mendim lidhur me trajtimin mjekësor nga i akuzuari të të dëmtuarës R.A.”, tha në seancën e sotme në Gjykatën e Gjakovës prokurori Bajram Kryeziu.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hajrullah Binakaj, avokati Teki Bokshi, e mbështeti propozimin e prokurorit, duke e lutur Gjykatën që të vërtetohet drejt nëse veprimet e ndërmarra nga i mbrojturi i tij kanë shkaktuar dëm në shëndetin e të dëmtuarës.

Doktori Hajrullah Binakaj ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i ngarkohet.

Binakaj po akuzohet se me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, kishte përdorur një metodë të papërshtatshme të mjekimit, duke mos i ofruar pacientes trajtimin e duhur -intervenimin elektrofiziologjik.

Ish-pacientja e tij R.A., e cila lëngon nga një sëmundje e zemrës, në periudhën prej 7 vjetësh, ishte kontrolluar te kardiologu Hajrullah Binakaj në spitalin privat “Heart” në Gjakovë.

Në seancën e kaluar e dëmtuara R.A. kishte rrëfyer përjetimin e saj gjatë viteve 2003-2010, duke i kërkuar Gjykatës që t’i kompensohet dëmi dhe stresi që ka kaluar ajo dhe familja e saj.

Ajo tha që si pasojë e tensionit të lartë në atë kohë tash ka probleme me dëgjim.

Prokuroria po akuzon Hajrullah Binakaj se në periudhën prej 6-7 vitesh, në cilësinë e mjekut në spitalin “Heart” në Gjakovë ka kryer veprën penale të trajtimit të papërgjegjshëm mjekësor.

Sipas aktakuzës i njëjti ka përdorur terapinë e barnave e pastaj ka intervenuar me karnografi duke hapur damarët e zemrës dhe me këtë ka shkaktuar përkeqësim në gjendjen e pacientes R.A.

E gjithë kjo kishte rezultuar me dëmtimin e rëndë të shëndetit.

Gjyqtari Mentor Bajraktari tha se seanca e sotshme shtyhet në afat të pacaktuar, derisa të bëhet ekspertiza dhe e njëjta të kthehet nga QKUK-ja./Kallxo.com/

Mos i humb