Prokurori pretendon se mbrojtja e Thaçit i kishte thënë që Hill refuzon të dëshmojë për ata, dëshmitari e mohon
Christopher Hill ka mohuar t’i ketë thënë mbrojtjes së Hashim Thaçit se refuzon që të jepë dëshmi për Prokurorinë.
Fillimisht, prokurori James Pace, tha se më 13 tetor 2025, mbrojtja e Thaçit e kishte informuar Prokurorinë që Hill nuk donte të jepte intervistë për ZPS-në, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurori tha se një mesazh përmes postës elektronike i është dërguar mbrojtjes nga Prokuroria për ta pyetur dëshmitarin nëse ishte i gatshëm që t’iu jepte atyre intervistë.
Pace kërkoi një përgjigje se pse ishte ky pozicion i dëshmitarit. Por, dëshmitari mohoi se është pyetur nga mbrojtja për një gjë të tillë.
“Nuk më kujtohet, nuk e di. Nuk mendoj kështu. Mua më ka kërkuar mbrojtja e Thaçit dhe më ka pyetur se në qoftë se do të jap dëshmi dhe për të diskutuar në qoftë se do isha i gatshëm për të dhënë informacionin që dija për këtë gjyq”, tha Hill.
Dëshmitari u pyet për atë se si siç po kuptohet mbrojtja nuk iu ka thënë asgjë që Prokuroria ishte e interesuar që të merrnin Hill në intervistë.
“Nuk më kujtohet të më jetë bërë një pyetje e tillë sepse sigurisht që do isha i përgatitur që t’ju jepja përgjigje ose intervistës me pyetje që mund të kishte”, tha Hill.
Përveç kësaj, ai tha se nuk i kujtohet që Ibrahim Rugova t’i ketë folur lidhur me kërcënime, sulme e rrëmbime që pretendohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së. Por, ai tha se i kujtohen persona të tjerë që kanë shprehur shqetësime lidhur me sigurinë e Rugovës.
Në anën tjetër, dëshmitari tha se nuk i kujtohet emri i Cen Deskut dhe as ai i Jakup Kastratit.

