Prokurori thotë se drejtësia për viktimat e Izbicës është edhe detyrim moral e historik, mbrojtja pret aktgjykim lirues për Alidemajn
Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj Muhamet Alidemajt i akuzuar për krime lufte në Izbicë më 1999, në fjalën pëfundimtare prokurori Ili Morina kërkoi dënimin e të akuzuarit, ndërkaq mbrojtja e Alidemajt tha se presin aktgjykim lirues.
Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, prokurori i rastit, Ilir Morina tha se nga provat e administruara është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se maskara e Izbicës është një fakt historik dhe juridikisht i vërtetuar edhe nga gjykatat ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
“Më 28 mars 1999, u ekzektuan 138 civilë shqiptarë, e 140 viktima u identifikuan, 12 persona i mbijetuan ekzekutimit. Gra e fëmijë u dëbuan drejt Shqipërisë, shtëpitë e fshtatit u dogjën sistematikisht. Pamjet filmike, listat e viktimave e dëshmitë e të mbijetuarëve e bëjnë këtë ngjarje të pakontestueshme”, ka thënë Morina.
Ai tha provat në këtë çështje janë të shumta, të qëndrueshme dhe bindëse.
“Drejtësia për viktimat e Izbicës nuk është vetëm çështje ligjore, por detyrim moral dhe historik”, shtoi prokurori.
Andaj, ai kërkoi nga Gjykata që të akuzuarin Alidemaj ta dënojë sipas ligjit dhe t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Ndërsa, përfaqësuesi i zyrës për mbrojtjen e viktimave, Veton Rudaku, tha se dëshmitarët e mbijetuar të kësaj masakre, gjatë dhënies së dëshmive kanë identifikuar të akuzuarin si personin që e kishin parë në ditën e 28 marsit 1999 në fshatin Izbicë duke iu prirë forcave serbe.
Andaj, Rudaku i propozoi Gjykatës që të shpall aktgjykim dënues dhe që Alidemajt t’i shqiptohet një dënim meritor.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Alidemaj, avokati Millosh Deleviq, tha se asnjë dëshmitar nuk ka thënë për të mbrojturin e tij se ka vrarë, ka dhënë urdhra, ka djegur, plaçkitur apo edhe dëbuar banorët. Sipas tij, Gjykata ka vetëm një rrugë, atë të lirimit të të akuzuarit.
Kurse, mbrojtësi tjetër, avokati Dejan Vasiq, tha se as në fillim të kësaj procedure nuk ka pasur prova e as tani s’ka, duke theksuar se mbështet avokatin Deleviq në dhënien e fjalës përfundimtare.
Ndërsa, i akuzuari Muhamet Alidemaj tha se mbështet mbrojtësit e tij dhe se nuk ka çfarë të shtojë më shumë.

