Prokuroria demanton këshilltarin e Kurtit: Nuk i hapëm rast

Orë më parë, këshilltari i Albin Kurtit, Arianit Beqiri përmes një postimi në Facebook, shkroi se shkaku i një vepre artistike të zhvilluar para qeverisë, i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
E këtë lajm e ka demantuar kjo prokurori.
Në sqarim thuhet se nuk është ngritur aktakuzë ndaj të njëjtit e as nuk është ndaluar me urdhër të prokurorit kujdestar të kësaj prokurorie.
Ndryshe Beqiri kishte shkruar “Pas përfundimit të shfaqjes së kësaj vepre artistike u ftova që të paraqitem në Policinë e Kosovës për të dhënë deklaratë. Ndonëse u prit që të deklarohem vetëm sa për procedurë, prokurori kujdestar kërkoi që të ngritet aktakuzë ndaj meje me pretendimin për kërcënim”.
Komunikata e prokurorisë:
Prishtinë, 16 nëntor 2020 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit korrekt njofton opinionin lidhur me shkrimet se është ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet A.B., pas shfaqjes së veprës artistike para objektit të Qeverisë, duke ju njoftuar se i njëjti vetëm është intervistuar nga Policia e Kosovës, në të njëjtën kohë, sqarojmë opinionin se Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtit e as nuk është ndaluar me urdhër të prokurorit kujdestar të kësaj prokurorie.
Personi me inicialet A.B., pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.