Prokuroria e Gjakovës nis hetimet për manipulim të votave në Malishevë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar opinionin publik se, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.
Sipas njoftimit, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që në Komunën e Malishevës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Këto veprime përfshijnë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e informatave si dhe sigurimin e provave relevante, të cilat lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit./IndeksOnline/

