75 Mall Live Search
16:42 / E Premte, 17 Maj 2024 / MSH

Prokuroria e Gjakovës sekuestron mjetet me të cilat po nxjerrej zhavorr në Rahovec

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar opinionin publik se pas një inspektimi të kryer nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka konstatuar se në disa fshatra të Rahovecit, është duke u degraduar ambienti.

Sipas prokurorisë, kjo për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.

Prokurori koordinator për hetimin e Krimeve Kundër Mjedisit, Kastriot Memaj, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 i KPRK-së.

“Po ashtu, është urdhëruar sekuestrimi i një kamioni transportues dhe një ekskavatori si mjete të përdorura në kryerjen e veprës penale.

Njëkohësisht, në koordinim me policinë, janë duke u ndërmarrë veprime aktive me drejtim të kapjes së kryesve të kësaj vepre penale” thuhet në njoftim.