75 Mall Live Search
16:29 / E Shtunë, 05 Shkurt 2022 / MSH

Prokuroria e Pejës jep detaje mbi arrestimin e të dyshuarit për sulmin në Gllogjan

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë njoftoi gjatë ditës së sotme kishte arrestuar një të dyshuar, me dyshimin se i njëjti është përgjegjës për sulmin e 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit.

Burime të sigurta të Indeksonline pohuan së bëhet fjalë për K.Mehmetaj, i lindur në vitin 1991.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Pejë ka dalur me disa detaje të reja për arrestimin e 31 vjeçarit.

“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes se trefishtë në Gllogjan të Komunës së Deçanit, ka ndaluar K.M., nën dyshimin se i njëjtit ka kryer veprat  penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi apo kontroll e paautorizuar e armëve”. Prokurorja e çështjes, në vazhdën e hetimeve intensive për rastin në fjalë, ka autorizuar Policinë e Kosovës për arrestimin e K.M., i cili fillimisht është ndaluar për 48 orë” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurorja e çështjes gjithashtu ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës.

Prokuroria po ashtu ka bërë të ditur se akoma është duke hetuar dhe punuar në ndriçimin e këtij rasti.

Disa ditë pas sulmit, Prokuroria kishte njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në këtë sulm.

Më 26 nëntor, një autobus, teksa ishte duke udhëtuar në fshatin Gllogjan, u sulmua nga breshëri plumbash nga një person i panjohur. Si pasojë e këtij sulmi, tre persona ndërruan jetë: shoferi i autobusit dhe dy nxënës pasagjerë./Indeksonline/