Prokuroria e Pejës kërkon paraburgim për Tush Frrokajn

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Tush Frokajt, të dyshuarit kryesor për vrasjen e Anton Prelajt në Klinë.
Kështu ka bërë të ditur për Indeksonline zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Nikçi ka deklaruar se kërkesa në fjalë i është dorëzuar departamentit për krime të rënda.
Ai shtoi se seanca e procedurës paraprake do të mbahet sot, ku edhe do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për masën e paraburgimit për të dyshuarin Frrokaj.
“Është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori i shtetit ka dorëzuar kërkesën në departmentin për krime të rënda. Njëkohësisht, gjatë ditës së sotme do të mbahet seanca e procedurës paraprake, do të shqyrtohet kërkesa e prokurorit të shtetit që t’i caktohet masa e paraburgimit personit të pandehur, Tush Frrokaj” ka deklaruar Nikçi.
Kujtojmë se Frrokaj dyshohet për vrasjen e Prelajt, ditën e 7 gushtit në një lokal në Klinë.
I njëjti ishte arratisur nga vendi i ngjarjes, teksa po qëndronte në arrati në një shtëpi në Skenderaj.
Prezenca e Frrokajt u sigurua dje në Stacionin Policor në Pejë, pas një pune hulumtuese të njësiteve përkatëse./Indeksonline/