75 Mall Live Search
13:23 / E Martë, 08 Prill 2025 / k.v

Prokuroria e Pejës rrit efikasitetin – 115.38% më shumë raste me pranimin e fajësisë krahasuar me vitin e kaluar

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka shënuar një rritje të ndjeshme të efikasitetit në trajtimin e rasteve penale përmes marrëveshjeve për pranimin e fajësisë.

Sipas njoftimit zyrtar, 28 raste janë përmbyllur me marrëveshje me palët vetëm në periudhën janar–mars 2025, krahas 13 rasteve të kryera në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përbën një rritje prej 115.38%, duke reflektuar angazhimin e prokurorëve për një trajtim më të shpejtë dhe efikas të çështjeve penale.

Përveç kësaj, është shënuar edhe një rritje domethënëse e rasteve të zgjidhura përmes ndërmjetësimit. 51 raste janë përmbyllur në këtë mënyrë në tremujorin e parë të vitit 2025, përkundër 40 rasteve të zgjidhura në periudhën e njëjtë të vitit 2024, që përfaqëson një rritje prej 27.5%.

Prokuroria Themelore në Pejë thekson se këto rezultate janë dëshmi e përkushtimit të saj për përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe qasjes së bashkëpunueshme me qytetarët dhe institucionet përkatëse./IndeksOnline/