Prokuroria e Prishtinës prezanton kronologjinë e hetimeve për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka dalur në konferencë për media, duke prezantuar kronologjinë e hetimeve të kësaj Prokurorie, në rastin e dhunimit të 11 vjeçares.
Sipas Ulajt, hetimet janë duke i mbikëqyrur dy prokurorë, për shkak se për rastin në fjalë janë dy pista të ndryshme hetimesh: së pari mbi dyshimet se e mitura është dhunuar dhe trafikuar në qershor të këtij viti, dhe së dyti, që e mitura është dhunuar në fund të gushtit.
“Më lejoni t’iu njoftoj që fillimisht me datën 21 qershor, e mitura ka dalë nga shtëpia rreth orës 8, për të cilin rast, nëna e ka raportuar në polici si person i zhdukur… Kemi pasur dyshime se e njëjta është shfrytëzuar seksualisht nga persona të ndryshëm” deklaroi Ulaj.
Ajo tutje konfirmoi se hetimet kanë nisur qysh atë ditë, për të vazhduar të nesërmen, me 22 qershor, kur edhe është kërkuar ekzaminimi i viktimës. Sipas Ulajt, këtë ekzaminim, prokurori i rastit e ka kërkuar me urgjencë.
Viktima u intervistua nga hetuesit dhe e njëjta ishte dërguar në strehimore, për të marrë pastaj trajtimet e nevojshme.
Dy ditë pasi doli nga shtëpia dhe dyshohet se u trafikua viktima, më 23 qershor, u paraqit urdhëresa për ekzaminim të ADN-së në trupin e saj. Edhe ky ekzaminim, sipas Ulajt, u kërkua me urgjencë.
Prokurori i rastit kishte kërkuar ndërkohë sekuestrimin e telefonit të viktimës, për të cilin kërkoi ekzaminim.
Ky ekzaminim u bë nga Ekipi i Forenzikës.
“Më 27 qershor është bërë kërkesë për tërheqjen e kamerave të moteleve ku ka mundur të shkojë viktima” deklaroi Ulaj në konferencë.
16 ditë pasi dyshohet të ketë ndodhur ngjarja, më 7 korrik, prokurori i rastit dëgjoi viktimën në prezencë të punëtores së Qendrës për Punë Sociale si dhe psikologes.
Ulaj njoftoi se viktima, 11 vjeçare, ka qëndruar gati një muaj në strehimore.
“Me datë 21 korrik të këtij viti, me kërkesë të prindërve, viktima është liruar nga strehimorja, dhe të njëjtit kanë deklaruar se do të marrin përgjegjësi mbi vajzën e tyre” tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në anën tjetër, telefoni i ekzaminuar nga Forenzika, më 1 shtator ka çuar në identifikimin e gjashtë personave të dyshuar, të cilët kanë qenë të përfshirë në rastin e ndodhur në muajin qershor.
“Prokuroria, ne koordinim të plotë me policinë, ka arrestuar fillimisht gjashtë persona, të cilët janë dërguar në ndalim me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në kohëzgjatje prej 48 orësh. Të njëjtit janë dyshuar se kanë kryer veprën penale të dhunimit, të trafikimit me njerëz dhe të shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit” shtoi Ulaj.
Ajo jepi detaje edhe nga rasti i muajit gusht, ku pohoi se fillimisht u arrestuandy persona, si të dyshuar për përfshirje në rastin e dhunimit, për të pasuar më vonë arrestimi i edhe tre të dyshuarve të tjerë.
“Sigurojmë të gjithë qytetarët se nga muaji qershor i këtij viti, Prokuroria ka ndërmarrë të gjtiha veprimet e nevojshme, në koordinim të plotë me të gjitha institucionet relevante të rastit.”
Ulaj deklaroi se për shkak se rasti ka të bëjë me të mitur, Prokuroria është e rezervuar në dhënien e informatave që mund të cenojnë integritetin e viktimës si dhe integritetin e hetimeve.
Përkundër kësaj konference të thirrur, pjesëmarrës në të nuk ishte as kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe as dy prokurorët që po merren me vijueshmërinë e hetimeve./Indeksonline/