Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgimin e fajdexhiut që organizonte bixhoz

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit A.H., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Sipas kërkesës së prokurorisë, i pandehuri A.H., nga data e pavërtetuar gjatë vitit 2024 deri më datë 10.07.2025 në Prizren, për vete ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.
Duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit S.M., i pandehuri A.H., i ka dhënë hua shumën prej 800 euro, mirëpo pas dy jave, i dëmtuari nuk ka qenë në gjendje t’ia kthejë borxhin e lartcekur, me çka për shkak të vonesës së kthimit të borxhit, i pandehuri tanimë borxhin ia ka rritur në shumën prej 2.000 euro.
I dëmtuari për tre muaj rishtas i ka paguar nga 300 euro, respektivisht 900 euro, ndërsa pjesën tjetër nuk ka mundur t’ia paguaj. Pas kësaj i pandehuri nga i dëmtuari kërkon borxhin duke ia rritur në shumën prej 5.500 euro dhe në vazhdimësi, nën presion, ka kërkuar që t’i paguajë këtë borxh me kamatë dukshëm jo proporcionale, ashtu që me datë 10.07.2025 në Prizren, në lagjen “Bazhdaranë”, në momentin kur i dëmtuari të pandehurit ia dorëzon 5.000 euro, i njëjti kapet në flagrancë dhe arrestohet.
Po ashtu, i pandehuri A.H., nga data e pavërtetuar gjatë vitit 2024, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, organizon dhe merr pjesë në organizimin e bixhozit dhe lojërave të fatit, ashtu që i pandehuri të dëmtuarit S.M., i ka dhënë të holla në shumën prej 800 euro dhe i ka ofruar një program të bastores online dhe më pas përmes kësaj veprimtarie e përfshin në fajde.