75 Mall Live Search
14:43 / E Enjte, 05 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Prokuroria Federale: 6 muaj burgim, kosovarit për mbështetje të ISIS-it

Prokuroria Publike Federale i ka shqiptuar një shtetasi zviceran nga Dietikoni (AG) me prejardhje kosovare dënimin me gjashtë muaj heqje lirie.

Ajo që i ngarkohet 28- vjeçarit ishte dyshimi për propagandë në favor të grupit terrorist të njohur si Shteti Islamik (ISIS) dhe për shpërndarje të pamjeve të dhunës, shkruan “Tages Anzeiger”.

Aktgjykimi është dhënë me urdhër dënimi, mundësi kjo e re që e lejon Ligji kundër terrorizmit.

Avokati për nga detyra zyrtare, ka paraqitur kundërshtim dhe e ka kaluar çështjen në Gjykatën Penale Federale në Bellinzona.

Besir M. ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë aktiv në mediat sociale. Për shkak të faktit se ai në këto media  shpërndante pamje brutale në lidhje me ISIS-in, Shërbimi Informativ Federal ia kishte tërhequr vërejtjen në mënyrë preventive tri herë me radhë. Por 28 vjeçari thjesht vazhdonte tutje. Kështu, sipas prokurorisë ai fuste në qarkullim video me flamur të ISIS-it dhe madje video që tregonin heqje kokash ose prerje duarsh.

Para mëse dy vjetësh i ishte bastisur banesa me ç’rast ishte konfiskuar “material voluminoz propagandistik për ISIS-in si dhe imazhe përkatëse dhune. Në marrjen në pyetje nga Policia Federale e Krimit, Besir M. kishte pranuar se më parë e kishte mbështetur ISIS-in si dhe kishte siguruar ose dërguar fotografi dhe video në lidhje me ISIS-in, përcjell albinfo.ch. Veç kësaj ai ka thënë se motra e ish gruas së tij ishte përsfshirë në dhunën e Xhihadit dhe se edhe vetë ish gruaja e tij kishte synuar po këtë.

Me propagandën e bërë, ai, sipas prokurorisë, ka mbështetur ISIS-in dhe krimet e tij. Materialet e tij kanë qenë të orientuara për të glorifikuar ISIS-in, për të demonstruar fuqinë e tij dhe për ta paraqitur jetën në regjionin e sunduar nga ISIS-i si të denjë për t`u synuar nga të gjithë myslimanët, transmeton albinfo.ch. Në këtë e sipër, ai ka përhapur pamje që tregojnë ushtrim dhune të shfrenuar.

Duke qenë se Besir M. ka bërë për vite me radhë delikte dhe me këtë rast ka vepruar nga bindja e thellë fetare, Prokuroria Federale ka kërkuar për të një dënim efektiv me gjashtë muaj heqje lirie.

Deri në një dënim të plotfuqishëm, personi konsiderohet i pafajshëm.