22:43 / E Mërkurë, 13 Qershor 2018 / indeksADMonline

Prokuroria jep detaje për vetëvrasjen e vajzave të reja në Prizren

Vetëvrasja e dy vajzave të reja në Prizren dhe tentimvetëvrasja e një vajze tjetër muajin e kaluar, kishte tronditur banorët e kësaj ane.

Vajzat që e kryen aktin e vetëvrasjes dhe tjetra që u kap në tentativë, ishin shoqe mes veti dhe po i vijonin mësimet në të njëjtën shkollë.

Që nga ajo kohë, organet e hetuesisë janë duke zhvilluar hetime intensive për të zbardhur rrethanat që kanë quar deri të vetëvrasja e vajzave.

Indeksonline ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prizren, ku është thënë se janë duke u zhvilluar veprime intensive hetuese paraprake, në drejtim të zbardhjes së rasteve fatkeqe ku dy vajza të reja D.K., dhe A.D., në mënyrë indikative kanë gjetur vdekjen duke u hedhur nga katet e larta të një ndërtese në Prizren.

“Për të zbuluar shkaqet dhe motivet e hedhjes së tyre nga këto ndërtesa, janë dëgjuar një numër i konsideruar i personave si dëshmitarë, janë mbledhur një numër i konsideruar i provave materiale të cilat janë duke u analizuar”, është thënë në një përgjigje për Indeksonline, nga Zyra për Informim.

Gjithashtu është bërë e ditur se në bazë të hetimeve të deritanishme dhe në bazë të informacioneve preliminare, personi i tretë që ka tentuar të kryej vetëvrasje nuk cilësohet si rast i ndërlidhur me dy rastet e mëparshme dhe se personi në fjalë ka qenë disa herë më parë në observim te psikologu.

“Po ashtu ndërlidhur edhe me personin e tretë, poashtu një e re e cila supozohet se paska tentuar të bëjë një akt të ngjashëm, janë duke u ndërmarrë veprime paraprake hetuese nga Policia e Kosovës në Prizren dhe në bazë të informacioneve preliminare nuk ka indikacione se ky rast është i ndërlidhur me dy rastet e para”, është thënë tutje në përgjigje./Indeksonline/