75 Mall Live Search
15:05 / E Mërkurë, 02 Shkurt 2022 / LB

Prokuroria kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj Dardan Molliqajt

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt dhe aktivistit të kësaj partie, Adem Megjuani.

Këtë për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të ndaluarve, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ulaj.

Molliqaj u arrestua mbrëmë teksa po shkonte në një studio televizive.

Ndërsa Megjuani është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Partia Socialdemokrate në anën tjetër, sot në një komunikatë dërguar medieve ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Arrestmi i kryetarit të PSD-së ka ngritur reagime të shumta në opinionin publik.

Partia e Molliqajt e vlerëson si incident ngjarjen e së shtunës. Sipas PSD-së Molliqaj nuk e ka goditur shuplakë policin, por vetëm e ka shtyrë.