Prokuroria kërkon dënimin e mbrojtja lirimin e të akuzuarit për terrorizëm

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare të enjten, prokurorja Habibe Salihu ka kërkuar dënimin e të akuzuarit për terrorizëm Blerim Syla. Kurse, mbrojtësi i këtij të fundit, avokati Besnik Berisha kërkoi të shpallet aktgjykim lirues.
Në këtë rast, Blerim Syla akuzohet për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe armëmbajtje pa leje. Bashkë me të ngarkoheshin edhe nëntë të akuzuar të tjerë për të cilët ka përfunduar procedura, mirëpo ndaj Sylës lënda është veçuar pasi ishte jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Salihu fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, ndërsa theksoi se pas administrimit të provave materiale dhe jomateriale në këtë shqyrtim gjyqësor, është vërtetuar se tani i akuzuari Syla i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Prokurorja shtoi se duke marrë parasyshë përgjegjësinë penale të të akuzuarit dhe atë që i njëjti nuk u është përgjigjur organeve të drejtësisë me kohë, duke e zgjatur këtë procedurë penale, kërkoi nga gjykata që ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Besnik Berisha, i cili gjatë elaborimit ndër të tjera ka theksuar se i mbrojturi i tij gjatë gjithë procedurës nuk e kishte mohuar se ka udhëtuar për ta ndihmuar opozitën siriane.
Mirëpo, tha se veprimet e Sylës nuk janë inkriminuese, Andaj, kërkoi nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza për terrorizëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 maj 2015 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të akuzuar në këtë rast janë Irfan Haqifi, Ernest Beqiri, Fidan Ibrahimaj, Kujtim Bllaca, Blerim Syla, Fitim Dema, Emri Bushi, Vehbi Gërxhaliu, Fisnik Bushi dhe Kenan Rushiti.
Irfan Haqifi dhe Ernest Beqiri akuzohen për veprën penale “Rekrutimi për terrorizëm”. Fidan Ibrahimi, Fitim Dema, Emri Bushi, Vehbi Gërxhaliu, Fisnik Bushi, Kenan Rushiti, Kujtim Bllaca dhe Blerim Syla akuzohen për “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”. Dy të fundit edhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Blerim Syla, më 3 nëntor 2013, me qëllim për t‘iu bashkuar grupit terrorist ISIS, në Siri, përmes aeroportit të Prishtinës ka udhëtuar drejt qytetit të Stambollit në Turqi, pastaj nga aty ka shkuar në qytetin Hatai, për të vijuar më pas në qytetin Azra në Siri.
Aty thuhet se fillimisht ishte vendosur në një qendër stervitore, ku ka kryer ushtrimet me armë në qytetin Tarifat të Sirisë, e pastaj drejtëpërsëdrejti ka marrë pjesë edhe në luftime, ku ka qëndruar më shumë se tre muaj, ndërsa më 17 maj 2014, është kthyer në Kosovë.
Për këto veprime, i akuzuari Syla akuzohet se ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” nga neni 143, par.2 të Kodit Penal.
Syla po ashtu akuzohet se më parë është furnizuar pa autorizim, ka mbajtur armë dhe atë: materie eksplozive- dy TNT, së bashku me pajisjet që shërbejnë për aktivizimin e kësaj materie, si dhe një revole, të cilat janë gjetur dhe konfiskuar me rastin e bastisjes që kishtë ndrmarrë policia në shtëpinë e të pandehurit në Gjilan.
Për këto veprime, i akuzuari Syla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit penal./Indeksonline/