75 Mall Live Search
08:37 / E Premte, 31 Maj 2024 / mp

Prokuroria kërkon dënimin e mjekut të akuzuar për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku Sabit Sllamniku, mjeku ortoped, i cili në cilësinë e personit zyrtar po akuzohet se në dy raste kishte kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 eurosh, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit, është dhënë fjala përfundimtare.

Paraprakisht në këtë seancë është administruar procesverbali i seancës administrative i kërkuar nga trupi gjykues sipas detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, seanca ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Sllamniku i cili tha se si ekspert gjyqësor për herë të parë është licencuar në vitin 2002-2003 në kohën e UNMIK-ut kurse nga KGJK në vitin 2023.

Ai tha se në kontratën e tij të punës nuk ka të përcaktuar kryerjen e ekspertizave mjekësore nga gjykata.

I akuzuari Sllamniku ka sqaruar se ekspertiza e cila i takonte të dëmtuarit E.TH i takonte fushës së kirurgjisë vaskulare dhe se këtë lëndë e kishte kthyer dy here në zyrën ligjore meqenëse nuk kishte të bëjë me lëmin e ortopedisë.

Ai ka sqaruar se ditën kritike të dëmtuarit disa herë i kishte thënë se pagesa duhet të kryhet në bankë por se i njëjti i ishte lutur se meqenëse nuk mund të ngritët nga karroca t’ia kryejë këtë shërbim.

Ai tha se një muaj para këtij rasti në mënyrë të ngjashme paditësja i ishte lutur që pagesën ta kryej për të sepse nuk e njeh qytetin e Prishtinës.

Sipas tij, të tre anëtarët e komisionit i kishin marrë nga 100 euro, kishin kryer pagesat duke bashkangjitur fletëpagesat lëndës dhe kështu ishte vepruar për çështje të humanizmit.

Sllamniku ka mohuar të jetë paguar ndonjëherë për ekspertiza nga QKUK apo nga KGjK.

Ai tha se shumën prej 100 euro e kishte pranuar në emër të ekspertizës dhe jo për ryshfet.

Në fund i akuzuari Sllamniku tha se ky ka qenë një inskenim për degradimin e personalitetit të tij i organizuar nga grupe të interesit nga spitalet private të Maqedonisë dhe Serbisë.

Ai tha se me këtë veprim është dëmtuar integretieti i gjithë mjekëve, i studentëve, i personelit mjekësor dhe se kjo ka ndikuar në ikjen e mjekëve nga Kosova.

Më pas seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare të cilën prokurori i shtetit Zef Predrecaj e dorëzoi me shkrim duke e elaboruar të njëjtën.

Prokurori Prendrecaj tha se është vërtetuar se i akuzuari kishte pranuar të holla në mënyrë të paligjshme pasi që pagesat çdo herë që nga fillimi i procedurës nuk janë marrë në dorë por përmes xhirollogarisë qoftë përmes KGjK-së qoftë përmes institucioneve të të njëjtëve,

Ai tha se nga të gjitha provat e prezantuara është vërtetuar se i akuzuari është përgjegjës për kryerjen e veprës penale dhe se veprimet e tij janë kryer me dashje si person zyrtar i cili kishte shfrytëzuar autoritetin e tij për të përfituar për vete apo për të tjerët.

Prokurori Prendrecaj ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari Sllamniku të shpallet fajtor dhe i njëjti të dënohet sipas ligjit dhe po ashtu t’i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike apo në shërbimin publik.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Sllamniku, avokati Driton Muharremaj po ashtu ka dorëzuar fjalën e tij përfundimtare me shkrim duke e elaboruar të njëjtën.

Ai tha se pas administrimit të provave materiale dhe personale pa mëdyshje është vërtetuar se veprimet e pretenduara të Sllamnikut nuk përbëjnë vepër penale dhe se kjo nuk është provuar.

Avokati Muharremaj tha se prokuroria nuk ka arritur me asnjë prove te vetme të vërtetojë fajësinë e tij dhe se në veprimet e tij s’kishte asnjë elementet të marrjes së ryshfetit.

Ai tha se nga provat e nxjerra dhe me dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar e kundërta e akuzës duke kërkuar nga gjykata aktgjykim lirues.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku, i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari E.S.,, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro.

Sipas aktit akuzues, më 13 korrik 2021 në ora 08:30 gjatë zbatimit të masës së fshehtë teknike të vëzhgimit dhe hetimit, në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i pandehuri ka pranuar shumën prej 100 euro nga i dëmtuari.

Me këtë, Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par.1. të KPRK-së.

Tutje, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se si mjek ortoped, në QKUK – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitojë për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, më 11 qershor 2021 nga e dëmtuara F.K, në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës F.K në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro.

Me ç’rast, thuhet se tani të dëmtuarës F.K, përkatësisht F.K., i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të KPRK-së.