75 Mall Live Search
13:38 / E Mërkurë, 28 Janar 2026 / H F

Prokuroria kërkon dënimin maksimal për Sërgjan Lazoviqin, mbrojtja aktgjykim lirues

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në fjalën përfundimtare të mërkurën, prokurori Armend Zenelaj kërkoi dënim maksimal për të akuzurin për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sërgjan Lazoviq, ndërsa mbrojtja e këtij të fundit kërkoi aktgjykim lirues.

Fillimisht, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim prokurori special, Armend Zenelaj, ndërsa theksoi se gjatë këtij gjykimi është vërtetuar se i akuzuari Lazoviq ka qenë pjesë e strukturës policore serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”

“Nga provat e administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor del qartë dhe bindshëm se këtu i akuzuari Sërgjan Lazoviq ka qenë pjesë e strukturës policore serbe që kanë ushtruar dhunë sistematike ndaj civilëve shqiptarë”, tha prokurori Zenelaj.

Prokurori dekalroi se kërkon nga gjykata dënimin maksimal për të akuzuarin Lazoviq, duke porpozuar edhe vazhdimin e masës së paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

“Duke pas parasysh rrethanat posaçërisht rënduese të veprës dhe përfshirjes direkte të të akuzuarit, natyrën brutale dhe çnjerëzore, Prokuroria kërkon nga gjykata që ndaj të akuzuarit Sërgjan Lazoviq të shqiptohet dënim maksimal i paraparë me Ligjin për krime lufte kundër popullatës civile”, tha Zenelaj.

Fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim edhe mbrojtësja me autorizim e të akuzuarit Lazoviq, avokatja Feride Xani, ndërsa elaborimin e ka bërë mbrojtësi tjetër me autorizim i të akuzuarit- avokati Predrag Milkoviq, duke propozuar lirimin e të mbrojturit të tij.

“Në bazë të të gjitha të cekurave, e ftoj gjykatën që të sjellë aktgjykim lirues”, tha avokati Milkoviq.

Në seancën filestare më 4 dhjetor 2024, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit Sërgjan Lazoviq, për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sërgjan Lazoviq akuzohet se në periudhën kohore 1998 – 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike.

Në këtë aktakuzë janë përshkruar mënyrat dhe rrethanat e keqtrajtimeve dhe arrestimeve të popullsisë civile shqiptare, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Në aktakuzë thuhet se nga data 3 shtator 1998 deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, me dashje, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me qëllim të frikësimit, dëbimit masiv dhe spastrimit etnik të popullatës shqiptare, Lazoviq ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, rreth 500 qytetarë civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Aty thuhet se banorët e fshatrave të Malishevës dhe Klinës së bashku me familjet e tyre, ishin detyruar që të largoheshin nga fshatrat dhe shtëpitë e tyre, duke shkuar në drejtim të bjeshkëve të fshatit Panorc dhe më të arritur në fshat popullata civile has në një postbllok të forcave policore serbe, të cilët e kishin rrethuar zonën ku ndodhej popullata civile, ku thuhet se forcat serbe fillimisht i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët, këtyre të fundit u japin urdhër të largohen kurse rreth 500 meshkuj civilë shqiptarë i arrestojnë dhe i dërgojnë në drejtim të shkollës së fshatit, ku gjatë rrugës i maltretojnë dhe i rrahin, në mesin e tyre edhe të dëmtuarin Ahmet Zenuni.

“…me të arritur te shkolla që të gjithë i vendosin nëpër klasa të shkollës dhe i mbajnë të bllokuar për rreth 30 orë kundërligjshëm, në kushte të rënda jetese, duke ua mohuar të drejtat themelore të tyre për ushqim, ujë, nevoja fiziologjike dhe kësisoj forcat serbe, brenda shkollës kishin ndarë një klasë të veçuar nga klasët e tjera ku i mbanin të ndaluarit, në të cilën kishin qenë disa policë bashkë më të pandehurin Sërgjan Lazoviq, të cilët fillimisht i selektonin disa nga të ndaluarit, më pas i merrnin një nga një dhe i dërgonin në atë klasë për t’i marrë në pyetje dhe për t’i rrahur, në mesin e tyre edhe të dëmtuarit Z.B., R.G., dhe R.B., të cilët i torturonin fizikisht me armë, mjete të forta si shkopinj prej druri, mjete të punës dhe kabllo, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, me ç’rast 13 prej tyre i arrestojnë dhe i dërgojnë në Burgun e Dubravës, kurse të tjerët i lirojnë”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, thuhet se gjatë periudhës kohore të cekur në dispozitivin I, të kësaj aktakuze, forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i pandehuri Lazoviq morën pjesë në dëbimin e popullsisë civile nga shtëpitë e tyre, ashtu që duke përdorur një dhunë sistematike dhe gjerësisht të përhapur fillimisht kishin rrethuar fshatin Panorc dhe fshatrat përreth dhe pastaj i kishin bombarduar me artileri të rëndë, kurse në fund kishin hyrë me këmbësori dhe kishin shkuar shtëpi për shtëpi dhe nën kërcënimin e armëve i kishin detyruar banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre, duke i obliguar që në kolonë të largohen në drejtim të Shqipërisë.

Më tej, thuhet se ata plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe mjetet transportuese të civilëve, kurse në fund i dogjën të gjitha duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Me këto, Sërgjan Lazoviq  akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.