Prokuroria kërkon paraburgim për ish-kryeshefin ‘KRM Uniteti’
Arrestimi i tij është bërë në kuadër të hetimeve që janë bërë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike në nivel qendror.
Sot, me datë 14 shkurt 2019, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për të ndaluarin S.T, pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar që në periudhën kohore 2015-2018, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të një ndërmarrje publike komunale në Mitrovicë, i dyshuari S.T, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore për vete apo personat e tjerë, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar në formë të akontacioneve (paradhënieve), për vete shumën prej 35,337.00 €, ndërkaq për punëtorët e tjerë (dëshmitarët) shumën në vlerë prej 82,663.00 €.
Me këto veprime i dyshuari S.T, dyshohet që i ka shkaktuar dëm kompanisë rajonale komunale një dëm në vlerë të tërësishme prej 118,913.18 €, me çfarë dyshohet që me veprimet e tij ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK.
Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.