Prokuroria me detaje të reja për çiftin Sopi, gruaja nuk pranojë ndihmë mjekësore dhe nuk ishte paraqitur në Polici

Prokuroria Themelore… ka dhënë detaje të reja të përplasjes paraprake midis çiftit Sopi, ku dyshohet se Lulzim Sopi më pas ka vrarë ish-gruan e tij, Sebahate Sopin.
Prokuroria Themelore e Prishtinës-Departamenti i përgjithshëm-Njësiti për dhunë në familje, njofton opinionin se pas raportimit të rastit nga policia, më 03.03.2021, ka iniciuar rastin “Dhunë në familje”, kundër të dyshuarit (tani i ndjeri) Lulzim Sopi.
Sipas shkresave të lëndës rezulton se vajza e të dëmtuarës, Sebahate Sopi (tani e ndjera), e para e kishte raportuar rastin në polici, ku menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është intervistuar e dëmtuara S.S., e cila në deklaratën e saj ka theksuar se me këtë datë kishte pasur mosmarrëveshje me ish-bashkëshortin e saj dhe ai e kishte sulmuar fizikisht, por që ka refuzuar të pranojë ndihmën mjekësore pasi ka qenë diçka momentale dhe nuk dëshiron që më tutje të vazhdojë me rastin.
Prokurori i shtetit, ka autorizuar policinë që të ndërmarrë edhe veprime tjera të nevojshme hetimore, ku është intervistuar i dyshuari, i cili e ka mohuar ta kishte sulmuar ish-bashkëshorten e tij. Për të sqaruar ende këto rrethana të ekzistimit të veprës penale, prokuroria i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ashtu që, më 04.03.2021, ka ftuar në polici për deklaratë shtesë të dëmtuarën S.S., por ajo përsëri nuk është paraqitur në stacion policor.