Prokuroria në Gjakovë ngre aktakuzë kundër një të dyshuari për shitblerje narkotikësh
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet G.B.
Në komunikatë thuhet se sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se më datë 08.09.2025 rreth orës 17:55 në fshatin Ponoshec, Komuna e Gjakovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes ka transportuar substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që patrulla e policisë kufitare SPMK-Ponoshec, ka ndalur veturën të cilin po e drejtonte i pandehuri i cili kishte ardhur nga Republika e Shqipërisë, dhe pas ndaljes se automjetit gjatë komunikimit me shoferin, është ndier një aromë e dyshuar për narkotik.
Pasi që i pandehuri përgjigjet se nuk ka asgjë ilegale në automjet, gjatë kontrollit të automjetit nën asistimin edhe të Njësisë K9 brenda në automjet janë gjetur dy qese me narkotikë marihuanë të fshehura në bagazhin e automjetit në peshë prej 998.7 gram dhe një qese e vogël po ashtu me narkotikë marihuanë e fshehur nën plastikën e fshesave të automjetit në peshë prej 1.52 gram e cila sasi e narkotikut është sekuestruar nga zyrtarët policor.
“Me këto veprime i pandehuri me inicialet G.B., ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.2 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

