10:47 / E Martë, 19 Tetor 2021 / AR

Prokuroria në Pejë ngritë aktakuzë ndaj Drejtorit të Bordit të “KRU Hidrodrini” për mosdeklarim të pasurisë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Drejtorit të Bordit të “KRU Hidrodrini” në Pejë, Valon Haxhijaj për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton aktakuza është ngritur më 3 gusht të këtij viti në Gjykatën Themelore në Pejë, mirëpo sipas  gjykatësit të rastit, Sejdi Blakaj, ende nuk është mbajtur shqyrtimi fillestar.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës më 3 gusht 2021, e ngarkon të pandehurin Valon Haxhijaj  se më 13 prill 2021 në Pejë, përkatësisht në “KRU Hidrodrini”, si zyrtar i lartë publik, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, nuk e ka paraqitur brenda afatit deklaratën e pasurisë.

Sipas aktakuzës i pandehuri ngarkohet se si drejtor i Bordit të “KRU Hidrodrini” në Pejë, nga data 1 mars deri më 31 mars 2021 obligohet që të bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin paraprak, për të cilën gjë është njoftuar, mirëpo i njëjti gjatë kësaj periudhe nuk e deklaron fare pasurinë.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Haxhijaj deklaratën e pasurisë e kishte dorëzuar pas kalimit të afatit ligjor, gjegjësisht më 13 prill 2021.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430 par.1 të Kodit Penal, për të cilin vepër parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim deri në tri vjet. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.