75 Mall Live Search
09:59 / E Enjte, 06 Nëntor 2025 / KV

Prokuroria e Tetovës jep detajet e fundit për vdekjen e 25-vjeçares nga Kosova

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës Tetovën e Maqedonisë së Veriut, ku është gjetur pa shenja jete trupi i një 25-vjeçareje me origjinë nga Kosova. Sipas mediave vendore, e reja ishte studente dhe jetonte me qira në Tetovë.

Prokuroria Themelore Publike e Tetovës ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se të dhënat e para nga vendi i ngjarjes nuk japin indikacione për ndonjë vepër penale. Megjithatë, organet kompetente kanë nisur hetime të thelluara për të zbardhur shkaqet e vdekjes.

“Prokurori kujdestar ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i të resë, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ekspertiza të detajuara për të sqaruar shkaqet e vdekjes”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas po të njëjtit burim, është urdhëruar obduksioni dhe pritet që në vijim të merren në pyetje disa persona që mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të rastit.

Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve hetimore të Maqedonisë së Veriut.