75 Mall Live Search
13:57 / E Enjte, 14 Gusht 2025 / Pranvera Musa

Prokuroria ngre dy aktakuza për nxitje urrejtjeje dhe ekstremizëm fetar në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar dy aktakuza të ndara në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj M.M. dhe A.B., për
veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Të pandehurit M.M. dhe A.B., akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, si edhe kanë propaganduar ideologji ekstremiste fetare, sipas metodave të propagandës së ISIS-it.


Sipas aktakuzës M.M., ka bërë thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve, duke publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, foto dhe video të personave të radikalizuar dhe duke shfaqur në publik thirrje për ekstremizëm fetar.


Ndërsa, A.B, akuzohet se ka bërë thirrje që të respektohen ligjet e “Sheriatit”, e të kundërshtohet sistemin demokratik, simbolet shtetërore dhe ligjet e Republikës së Kosovës.


Sipas aktakuzës, A.B, nga vitit 2019 e deri më 22.05.2025 përmes rrjetit social “Facebook”, në profilin e tij me emrin “Ubejdullah Abu Suhejla”, ka shpërndarë materiale me përmbajtje nxitëse, përmes së cilave ka bë thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad.


Prokuroria Speciale riafirmon përkushtimin e saj në ndjekjen dhe hetimin e këtyre veprave penale, të cilat cenojnë rëndë vlerat demokratike dhe bashkëjetesën mes grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në Republikën e Kosovës.