75 Mall Live Search
16:34 / E Hënë, 27 Maj 2019 / indeksADMonline

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj dy personave për aksidentin vdekjeprurës në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, sot, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve M.A., për shkak të veprës penale ‘’Rrezikim i trafikut publik’’ dhe të pandehurit V.T., për veprën penale ‘’Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 7 mars 2019, rreth orës 14:05 minuta, në rrugën ‘’Idriz Seferi” në Gjilan, i pandehuri  M.A., ka shkaktuar aksident komunikacioni, në atë mënyrë që nga pakujdesia, duke drejtuar automjetin për transport – kamionin, e markës Scania, pronë e “VEV GROUP” Sh.p.k. – Prishtinë, ka humbë kontrollin mbi drejtimin e automjetit  dhe si pasojë  e gjendjes paraprake jo të rregullt të sistemit të frenimit si tërësi, nuk ka arritur të frenojë, ku edhe iu është pamundësuar ndërrimi i shpejtësive për shkak të mos funksionimit të friksionit.

Me këtë rast, i njëjti për të shmangur përplasjen me automjetet që lëviznin para tij, kalon dhe shfrytëzon shiritin e kahjes së kundërt, mirëpo pasi rruga ishte teposhtëze, fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe me të arritur afër hyrjes së Stacionit të Autobusëve, fillimisht e godet një automjet, i cili ishte duke lëvizur në të njejtin drejtim, ndërsa afër daljes së Stacionit të Autobusëve, e godet mbrapa një automjet tjetër, që lëvizte para tij, të cilin e shtyen deri te vendkalimi për këmbësorë në trotuar, afër furrës “Çoçaj” dhe me këtë rast i godet 3 (tre) këmbësorë,  të cilët ishin duke ecur nëpër trotuar, në mesin e tyre edhe i ndjeri Q.Ç.

Pastaj ka vazhduar në të njejtin drejtim duke goditur edhe automjete tjera, me ç’rast në fund godet një traktor, i cili ishte kyqur në rreth-rrotullim, duke përfunduar në trotuar, përballë hotelit ‘’Kristal’’.

Si pasojë e këtij aksidenti, përvec dëmeve të mëdha materiale, lëndime të lehta trupore kanë pësuar 17 (shtatëmbëdhjetë) persona, lëndime të rënda trupore 4 (katër) persona, ndërsa lëndime të natyrës vdekjeprurëse u shkaktohen të ndjerëve Q.Ç. dhe F.I.

Në këtë mënyrë, i pandehuri M.A., ka kryer veprën penale, ‘’Rrezikim i trafikut publik’’ nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin  6 dhe  1 të  KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri V.T., si person përgjegjës i kompanisë “VEV GROUP” Sh.p.k. – Prishtinë, ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit apo mosveprimit të tij, mirëpo nga neglizhenca për mbikëqyrje të detyruar, ka lejuar vozitësin e tij, tani të pandehurin M.A., që të dalë në qarkullim – rrugë publike regjionale, për të kryer punë për kompaninë, me automjet transportues, i cili ka qenë i paregjistruar dhe teknikisht i parregulluar, me ç’rast si pasojë e këtyre lëshimeve, është shkaktuar aksident trafiku.

Me këto veprime, i pandehuri V.T., ka kryer veprën penale, ‘’Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik’’ nga neni 373 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 3, 2 dhe 1  të KPRK-së.