Prokuroria nis hetimet ndaj të dyshuarit për vrasjen në Malishevë, kërkon paraburgimin e tij
Prokuroria Themelore në Gjakovë deklaron se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për Astrit Isufin, i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Malishevë.
Prokuroria ka bërë me dije se ndaj Isufit po ashtu ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve, shkruan IndeksOnline.
Mes të tjerash, në njoftimin e Prokurorisë thuhet:
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.I., më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 min, në fshatin Golluboc – Komuna e Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët D.M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc – Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D.M., dhe N.M., shkon në vendin e cekur më lartë, tek shtëpia e të ndjerëve për t’a marr bashkëshorten I.M., dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe tani të ndjerët D.M., dhe N.M., e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur dëshmitarja I.M., përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit në rrugë vëren të pandehurin – bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me armë të llojit Pistoletë TT në drejtim të vëllait të saj tani të ndjerit D.M., e më pas shtënë po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër të saj tani të ndjerë N.M., të ndjerët D.M., dhe N.M., nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrire përtokë, i pandehuri hedh pistoletën dhe largohet në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat dërgohen në QKMF Kijevë pa shenja jete, të nesërmen i pandehuri arrestohet.”
Prokuroria ka bërë me dije se Isufi ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, si dhe “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”,
“I pandehuri që nga data 7 nëntor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartcekura” deklaron Prokuroria.

