75 Mall Live Search
16:17 / E Premte, 06 Shkurt 2026 / F.R

Prokuroria nis hetimet në Ferizaj, Shtime dhe Han të Elezit – për manipulimet me vota

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se më 22 janar 2026 ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në komunat nën kompetencën e saj territoriale.

Pas veprimeve hetimore dhe takimeve koordinuese me Policinë e Kosovës, Prokuroria ka bërë të ditur se në komunën e Ferizajt, nga gjithsej 153 vendvotime, manipulimet kanë qenë minimale. Sipas raporteve, vetëm një kandidat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa për kandidatët e tjerë shtesat kanë qenë nga një deri në tre vota.

Në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve është e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.

Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra votimi, me një përqindje pak më të lartë. Sipas të dhënave, për tre kandidatë është konstatuar shtim i votave nga dhjetë deri në 45 vota.

Në lidhje me këto raste, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, ndërsa në Shtime do të intervistohen komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve.

Sa i përket komunave të Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria ka bërë të ditur se ende është në pritje të raporteve përfundimtare nga Policia e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve dhe ka riafirmuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e votës së lirë, integritetin e procesit zgjedhor dhe sundimin e ligjit./IndeksOnline/