12:03 / E Martë, 01 Tetor 2019 / indeksADMonline

Nisin hetimet për tenderët milonësh në komunën e udhëhequr nga Vetëvendosje

Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, në Prizren ka nisur sot hetimet lidhur me dyshimet se disa nga zyrtarët e Komunës së Prizrenit janë të përfshirë në raste të korrupsionit, përkatësisht në dhënien e tenderëve milonësh.

Indeksonline mbrëmë ka publikuar artikullin e dytë me titull: Vetëvendosje dhe Mytaher Haskuka e “mysin” korrupsionin, u japin tenderë milionësh njerëzve të tyre. Sot, Zyra e shtypit e Prokurorisë Themelore në Prizren i ka kthyer përgjigje pyetjes përkitazi me këto shkrime, ku thotë se hetimet kanë nisur.

“Në bazë të shkrimeve të publikuara nga portali Indeksonline, Prokuroria Themelore në Prizren, sot më 01 tetor 2019, ka autorizuar Njësitin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, për grumbullimin e informacioneve, lidhur me projektet në fjalë”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Ndërsa Prokuroria Themelore në Prizren njofton se më 20 maj 2019, ka ngritur aktakuzë kundër I.O., në cilësi të personit zyrtar si shef i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, për  veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)./Indeksonline/