75 Mall Live Search
20:44 / E Premte, 21 Qershor 2019 / indeksADMonline

Prokuroria nis hetimet për vjedhjen e 66 mijë eurove të zyrtarit të Qeverisë

Ditë më parë, Indeksonline raportoi se si drejtorit të Departamenti të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Departamentit të Ujërave, Muhamet Malsiut i janë vjedhur 66 mijë euro në shtëpinë e tij në Rekë të Kaçanikut.

Përpos parave, të njëjtit i është vjedhur edhe pistoleta.

E lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka autorizuar Njësinë Rajonalë të Hetimeve, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.

Përmes një përgjigjeje për Indeksonline, kjo Prokurori ka bërë të ditur se nuk ka persona të arrestuar për këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se e ka autorizuar Njësinë Rajonale të Hetimeve për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin e vjedhjes së të dëmtuarit M.M. Për momentin nuk ka persona të arrestuar”, thuhet në përgjigjejen e prokurorisë.

Zyrtari i MMPH-së, nuk ka dhënë asnjë detaj më të vogël rreth parave apo gjësendeve që i janë vjedhur muajin e kaluar.

“Ditën e mirë… Jo, kërkoj falje jam nxan me familjarë. S’kam ide vallai, veç nëse më informon najkush. Një thyerje e shtëpisë, s’kam informacion kurgjo. Ooo kanë bo vjedhje në shtëpi, e kanë thy, moti u kanë kjo, para nja 2-3 jave”, është shprehur ai për Indeksonline.

Më tutje, Malsiu konfirmoi se për këtë rast është intervistuar nga organet e sigurisë.

“Po sigurisht se jam intervistuar nga policia. O kanë bo vjedhje në plot vende ato hajnat dhe janë në kërkim, nuk kam informacion më shumë. Sëm kanë informuar më shumë policia”, është shprehur ai. /Indeksonline/