Prokuroria nuk interviston të pandehurit, qindra raste hudhen nga gjykatat

Vrasje e Selim Bekteshit nga Mitrovica nuk është rasti i vetëm që për shkak të lëshimeve procedurale nuk mori drejtësi.
“Betimi për Drejtësi”, ndër vite ka trajtuar problematika kur rastet kanë dështuar për shkak të prokurorisë dhe gjykatës. Ky hulumtim tregon numrin me të madh të rasteve të dështuara krejtësisht për shkaqe procedurale. Përkatësisht pasi Prokuroria ka ngritur aktakuza pa marrjen në pyetje të të pandehurve para ngritjes se aktakuzës ashtu siç parashihet me ligj.
“Betimi për Drejtësi”, në gjitha gjykata në nivel vendi, ka siguruar rreth 150 raste kur aktakuzat janë hudhur apo janë në proces për t’u hudhur pasi Prokuroria nuk ka zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Në mesin e rasteve të hudhjes, ka lëndë me vepra penale si “vrasje e rëndë”, “kultivim i bimëve narkotike”, “mashtrim”, “vjedhje e rëndë”, “kanosje”, “falsifikim të dokumenteve”, e vepra tjera penale deri tek “vjedhja e shërbimeve”.
Fejzullah Hasani, ish-Kryetar i Gjykatës Supreme dhe profesor universitar, thotë se ligji është i qartë në aspektin e veprimeve procedurale që duhet t’i ndërmerr prokurori.
“Prokurori e ka të drejtën të autorizojë Policinë që ta marrë në pyetje të pandehurin kur bëhet fjalë për vepër penale të dënueshme deri në tre vjet dhe me këtë deklarim të te pandehurit në Polici mund të ngritë aktin e akuzës, aktakuzën. Po flas gjithnjë nëse i ka legjitimua veprimet hetimore me një aktvendim për fillim të hetimeve. Ndërsa, për të gjitha veprat tjera penale prokurori duhet që pas marrjes se aktvendimit për fillim të hetimeve patjetër ta dëgjoj të pandehurin”, ka thënë ai.
Avokati Yll Zekaj sqaron se ka aktakuza që mund të ngritët edhe pa intervistimin e të pandehurit, kur nuk mund të sigurohet në procedurë.
“Prokurori, shumë qartë e thotë Kodi i Procedurës Penale që prokurori duhet se pari të dërgojë thirrje, nëse nuk ka mundësi përmes thirrjes ta sigurojë të pandehurin, të lëshojë urdhër arrest, pastaj letërrreshtim nëse është nevoja të bëjë edhe përpjekje për të siguruar adresën e të pandehurit nëse nuk dihet”, ka thënë ai.
Ndonëse Kodi ishte i qartë, gjithçka filloi me një hulumtim të “Betimit për Drejtësi”, të zhvilluar në qershor 2023. “Për faj të Prokurorisë, amnistohet burri i dhunshëm, pëson gruaja viktimë”.
Ky hulumtim tregonte se si Prokuroria e kishte dështuar një rast të dhunës në familje, pasi nuk kishte intervistuar të pandehurin para ngritjes se aktakuzës.
“Dhunën e kam përjetu 7 vite, dhunë të llojllojshme, kam përjetu dhunë me rrahje, dhunë me vrasje, dhunë me varr, varrin ma kanë qelë për me m’shti për së gjalli në të dhe por Allahu është ai që më ka ndihmu edhe një sebep i tyre e ka qu Zoti mysafir edhe ka ardhë aty në ato momente unë kam shpëtua”, fillonte rrëfimi i viktimës H.Mhttps://www.youtube.com/embed/Xs25wzT6nj4?wmode=transparent&rel=0&feature=oembed
“Hera e fundit, kam dal në oborr me i marr do dru edhe me thotë kunati ti kurve je lavire mos dil në oborr se na pengon edhe kështu që ka fillu dhuna, burri me m’rrah edhe kanë fillu tani vëllezërit e tij, me shati, me metal, unë kam qenë e gjakosur, fytyra komplet, trupi, njëherë me ka hup vetdija, mas një kohe mu ka kthy, edhe kur mu ka kthy vetdija Allahu është ai që ma ka dhanë fuqinë dhe ia kam marrë telefonin burrit dhe ai nuk e ka hetu, dhe jam munu me një menyre me hi në banjo dhe aty e kam mshele derën”, kishte thënë tutje ajo.
“Dhe e kam marrë telefonin, e kam thirre Policinë, po Policia kanë vonu, me rastin që i kam thirre unë, edhe kështu që unë kam qenë e gjakosur, trupin e kam pas të lëndum, dorën e thyme, trupin e kam pas zi, prej stupcit”, ishte shprehur ndër të tjera viktima.
Kjo dhunë, e cila ishte dokumentuar edhe me raporte mjekësore kishte mbetur e pandëshkuar për faj të Prokurorisë.
Agron Maxhuni, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri, tregonte se pse kishin hudhur këtë rast.
“Në rastin konkret, ne kemi vendosur konform nenit 151, që kjo aktakuzë të hudhet për faktin se pa pandehuri nuk është marrë në pyetje në fazën e hetimeve, ashtu siç parashihet me dispozitat e këtij nenin përkatësisht neni 151 e cila dispozitë është konporative dhe e obligon prokurorinë e shtetit që ta merr të pandehurin për veprat penale për të cilat parashihet dënim me tepër së 3 vite. Ju e dini që prokuroria ka të drejtë të ngrisë aktakuza të drejtpërdrejta, por për veprat penale për të cilat është dënimi mbi tre vite është patjetër e obligueshme që të merret në pyetje në fazën hetimeve, përkatësisht para ngritjes së aktakuzës”, kishte thënë gjykatësi.
“Është dispozitë obligative, për vet prokurorinë dhe është dispozitë e pakapërcyeshme për gjykatën dhe gjykata kujdeset sipas pozitës zyrtare që në këto raste të zbatohen standardet të cilat parashohin dispozitat e kodit të procedurës penale, e të cilat lidhen poashtu me konventën Evropiane për të drejtat e njeriut, përkatësisht nenin 6 gjykimi, për një gjykim të drejt”, kishte shtuar tutje ai.
Edhe pse hudhja e aktakuzës ishte konfirmuar nga Apeli, në përgjigje ndaj pyetjeve të Betimi për Drejtësi se a ishte amnistuar dhuna, Prokuroria Themelore në Mitrovicë insistoi se rasti nuk ka përfunduar proceduralisht dhe paralajmëroi se do ta dërgojë në Gjykatën Supreme.
Gjykata Supreme ka marr vendim duke refuzuar kërkesën e Prokurorit të shtetit.
“Gjykata Supreme e Kosovës konstaton se aktvendimet e kundërshtuara janë të drejta dhe gjejnë mbështetje në dispozitat përkatëse të procedurës penale, ndërsa konstatimet e gjykatave janë në përputhje edhe me parimet bazë të procedurës penale dhe me të drejtat e mbrojtes”, thuhet në vendimin e Supremes.
Supremja kishte sqaruar se me Kodin e vjetër të procedurës Penale, parashihej që “Para ngritjes së aktakuzës, i pandehuri merret në pyetje në seancën e marrjes së deklaratës në procedurë paraprake. Nëse i pandehuri hetohet për vepër apo vepra penale për të cilat dënimi maksimal i paraparë është jo më shumë se tre (3) vjet burgim, mjafton që të pandehurit t’i jepet mundësia që të përgjigjet me shkrim”
Sipas Supremes, zbatimi i hetimeve dhe marrja në pyetje e të pandehurit në seancën e marrjes së deklaratës, kanë qenë detyrim i prokurorit të shtetit.
“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar një intervistë nga gjykatës të Gjykatës Supreme, por, ata kanë refuzuar të flasin.
Profesori Hasani, thotë se si Kodi i vjetër i Procedurës Penale, ashtu edhe Kodi i ri nuk dallojnë në dispozitat elementare që janë në favor të mbrojtjes.
“Nuk ka ndonjë fare dallimi në aspektin e atyre dispozitave që janë elementare që janë në favor të mbrojtjes, interesit të te pandehurit në procedurë penale dhe që janë dispozita në përputhje me standardet nga Konventa. Ai duhet patjetër që para se t’i ngritët një aktakuzë të dëgjohet nga ana e prokurorisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo çështje rregullohet me dispozita kalimtare.
“ Dhe atje në dispozitat kalimtare në mënyrë të qartë thuhet se për të gjitha procedurat ku janë ngritë aktakuza mirëpo nuk janë përfundu, zbatohet Kodi i 2023, në përjashtim me afatet dhe afatet thotë që kanë të bëjnë me të pandehurit për të mbrojte interesat e pandehurit”, ka thënë ai./BetimipërDrejtësi/