Prokuroria Speciale e Kosovës në konferencën rajonale për krimet e luftës

Me ftesë të kryeprokurorit të shtetit të Kroacisë, një delegacion i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i përbërë nga kryeprokurori Blerim Isufaj, dhe prokurorët e Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës Ilir Morina dhe Florije Shamolli, po merr pjesë në Konferencën Rajonale për Krimet e Luftës.
Tema kryesore e konferencës ishte bashkëpunimi ndërkombëtar dhe koordinimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës.
Në fjalën e tij, kryeprokurori Isufaj informoi të pranishmit mbi punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në trajtimin e këtyre rasteve, angazhimin dhe përkushtimin e institucionit në hetimin e krimeve të luftës dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ndërsa, gjatë qëndrimit në Kroaci, kryeprokurori Isufaj zhvilloi një takim pune me kryeprokurorin e Kroacisë Ivan Turudiq.
“Ata diskutuan tema me interes të përbashkët në fushën e drejtësisë, dhe u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë mes dy vendeve. Ndërkohë, edhe pjesëmarrësit tjerë në këtë konferencë u pajtuan për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë dhe në marrjen e masave që mundësojnë mbrojtje adekuate të viktimave të këtyre shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut”, njofton prokuroria e shtetit.