75 Mall Live Search
11:44 / E Premte, 15 Gusht 2025 / SH

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj 21 të dyshuarve për dëbimin e popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave për veprën penale “Krime Lufte Kundër Popullatës Civile”.

Prokurori i rastit Atdhe Dema në një konferencë për media, duke theksuar se pas vite hetimesh intensive, janë ngritur akuza ndaj disa personave që kishin autoritet mbi forcat e armatosura jugosllave dhe policinë serbe në territoret përkatëse të Kosovës.

“Pas vite hetimesh intensive, Departamenti Special i Prokurorisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dorëzuar sot një aktakuzë lidhur me krime lufte kundër popullsisë civile gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, në periudhën janar–qershor 1999″, tha ai.

Prokuroria thotë se provat e mbledhura dëshmojnë përfshirjen e të pandehurve në dëbimin dhe keqtrajtimin e popullsisë civile gjatë luftës.“Aktakuza të pandehurit i ngarkon në bazë të nenit 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, i cili sanksionon krimet e luftës kundër popullatës civile, si dhe në harmoni me të drejtën ndërkombëtare humanitare, përfshirë Konventat e Gjenevës dhe protokollet shtesë. Këto veprime përfshijnë: shkatërrimin sistematik të pronës civile, përfshirë djegien e shtëpive dhe infrastrukturës; sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre; përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike; dëbime të detyruara masive të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje.”, shtoi Dema.

Sipas aktakuzës, gjatë kësaj periudhe, të pandehurit kanë qenë në dijeni se forcat nën komandën e tyre po kryenin veprime që realizoheshin përmes një fushate të gjerë dhe të koordinuar që përfshinte: shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim zhvendosjen me dhunë brenda territorit të kufijve të atëhershëm administrativ të Kosovës.