75 Mall Live Search
10:22 / E Hënë, 30 Qershor 2025 / Z S

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj dy personave për veprën penale: ”Krim i luftës kundër popullsisë civile”

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurve J.J dhe V.T , për veprën penale: “Krim i Luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar sipas nenit 142 të Ligjit penal të RSFJ-së, në fuqi gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.

Të pandehurit J. J. dhe V.T akuzohen për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Kaçqanik i Vjetër, në Komunën e Kaçanikut.

Sipas aktakuzës, të pandehurit në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë kryer vrasjen e dy viktimave R.E. dhe M.H.

Hetimet vërtetuan se gjatë kësaj periudhe J.J. dhe V.T. kanë rrahur, kanë shkaktuar maltretime fizike dhe psikike dhe kanë plaçkitur pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit SH. D. dhe viktimave, tani të ndjerëve M.H. dhe R. E.

Në mbështetje të neneve 234 dhe 303 të Kodit të procedurës penale, Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të mbajë gjykimin në mungesë për shkak se të pandehurit J.J. dhe V.T. janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për t’i vënë para përgjegjësisë kryesit e këtyre veprave penale, në përputhje me standardet ndërkombëtare./Indeksonline/