75 Mall Live Search
15:10 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / KV

Prokuroria Speciale nis hetimet për rastin e plagosjes së zyrtarit të BE-së në Gjakovë

Një zyrtar i Bashkimit Evropian është plagosur të martën në Gjakovë. Lidhur me rastin, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet.

Zëdhënësja e PSRK-së, Nora Luta konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se në bashkëpunim me Policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike.

“Prokuroria Speciale ju njofton se nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike. Duke theksuar se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Luta.

Në anën tjetër, në raportin 24 orësh të Policisë thanë se viktima kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë pasi kishte dy plagë që dyshohet se i janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë. Rasti u iniciua si “Vrasje në tentativë”.

“NN.04.11.2025-19:57. Viktima mashkull shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Gjakovë, pasi që i njëjti kishte dy plagë të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Viktima me udhëzim të mjekut kujdestar është dërguar në QKUK. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.