75 Mall Live Search
11:58 / E Premte, 14 Mars 2025 / S Z

Prokuroria Themelore autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, i cili ditë më parë ka bërë disa deklarata të papranueshme ndaj mediave.

Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës në ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj Sami Kurteshi”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

AGK-ja ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave dhe të mos pengojë punën e gazetarëve në Kosovë.

Ndërkaq të enjten Sami Kurteshi përmes një postimi në Facebook ka sulmuar edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili ka thënë se AGK është shndërruar në Aleancë të Grupeve Kriminale (AGK).

“AGK që moti ka pushuar të jetë mbrojtëse e gazetare/ëve. Që moti është shndërruar në Aleancë të Grupeve Kriminale (AGK). Viktimizimi i kriminelëve të mbështjellur me velon e “gazetarit”, në mesin e tyre të vrasësve me pagesë të dinjitetit njerëzor, është “lot krokodili”. Kriminelët vrastarë të llojit e sojit të tillë, duke u frikësuar nga hija e tyre e përbindëshme vrastare që shohin në pasqyren mëngjesore, rrezikimin e sojit të tyre e pasqyrojnë te të tjerët. Qëllim dhe shpërfaqje e neveritshme, e pështirë kutërbuese. Askush, në asnjë rast, nuk i përfillë, ashtu siç kërkojnë me ngulm, e lëre më t’i rrezikojë. Halli i sojit e sorollopit të tyre nuk është as rrezikimi, as pengimi, as “gjuha fyese”, as kërcënimi, as cenimi i “sigurisë së gazetarëve” e as i “lirisë së medias”. Halli i tyre është pikërisht se nuk e durojnë Lirinë e Mendimit ndryshe dhe Lirinë e Shprehjes, monopolin e të cilave e gjakojnë për qëllime kriminale. Brenga e shqetësimi i tyre thelbor është se narracioni i tyre kriminal e vrastar nuk po arrin të krijojë diskurs publik. Kaq! Për AGK nuk ka respekt! Poshtë!”, ka shkruar Kurteshi. /