Prokuroria thotë se do të provohet fajësia e të akuzuarit për krime lufte në Gjakovë, mbrojtja pretendon të kundërtën

Në gjykimin ndaj Jusuf Shujak i cili po akuzohet për krime lufte në Gjakovë, gjatë fjalës hyrëse të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori special Ilir Morina tha se nga provat do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit, ndërkaq mbrojtësi i Shujak, avokati Ljubomir Pantoviq tha se i mbrojturi i tij nuk është fajtor.
Prokurori Morina tha se nga dëgjimi i dëshmitarëve do të vërtetohet se i akuzuari Shujak ishte pjesë e grupit që kishte kryer krime lufte në qytetin e Gjakovës gjatë kohës së luftës në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Morina tutje tha se pas 25 vitesh po nis gjykimi për të sjellë drejtësi për të dëmtuarit që u janë vrarë familjarë e maltretuar nga grupi pjesë e të cilit, sipas prokurorit, ishte edhe i akuzuar Shujak.
Sipas tij, dëshmitarët do të përshkruajnë veprimet e të akuzuarit Shujak, e në të cilat veprime manifestohet vepra penale e krimeve të luftës.
Në anën tjetër, avokati Pantoviq tha se është për çudi cilësia e aktakuzës së Prokurorisë Speciale. Tha se duhet të jetë Prokuroria më e përgatitur.
Sipas Pantoviq, përpos në fillim të aktakuzës ku përshkruhen të dhënat e të akuzuarit, në asnjë pjesë tjetër të aktakuzës nuk përmendet i mbrojturi i tij.
Avokati tha se Shujak do të provojë se nuk ishte në vendet ku Prokuroria pretendon se ka kryer krime lufte, duke shtuar se për këtë do të propozojnë dëshmitarë.
Paraprakisht u lexua aktakuza nga prokurori Morina, ku i akuzuari Shujak u deklarua sërish i pafajshëm.
Pas dhënies së fjalës hyrëse, u ndërpre gjykimi për të vijuar me dëgjimin e dëshmitarëve gjatë seancave të radhës.
Edhe në seancën fillestare më 13 shkurt 2025, i akuzuari Jusuf Shujak është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte në Gjakovë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 24 janar 2025, i pandehuri Jusuf Shujak akuzohet se gjatë përiudhës kohore 1989-1999, në Gjakovë, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje shkel rregullat e të drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, konkretisht neni 3 të Konventës së Katërt të Gjenevës dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II, duke kryer vrasje, dëbim dhe shkatërrime të pasurisë së lujatshme dhe të palujatshme të popullatës civile.
Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Shujak, më 10 maj 1999, së bashku me pjestarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, të unifromuar dhe të armatosur dhe të ndarë në grupe të ndryshme, hyjnë në shtëpinë e M.D., në të cilin ishin duke qëndruar vetëm M., B.D., bashkëshortja e tij, një fëmijë dhe dy të zhvendosur, C.H., e I.L., të cilët ishin të strehuar përkohësisht, i urdhërojnë që të dalin jashtë, përpos M.D., i cili kishte mbetur brenda shtëpisë. Me të dalë në oborr, policët serbë i ndalojnë C.H, dhe I.L., duke ua kërkuar letërnjoftimet dhe më pas ju drejtohen me fjalët “ah ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishin shtënë në drejtim të tyre duke i vrarë që të dy. Kurse një polic tjetër, hyn brenda shtëpisë, ku kishte qenë edhe M.D., duke qëlluar me armë dhe duke e vrarë.
Gjithmonë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë thuhet që në kohën dhe vendin e përshkruar si në dispoztivin e parë, forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve, dëbuan nga shtëpitë e tyre familjen Dyla, në atë mënyrë që në ditën e incidentit derisa pjestarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpin e M.D., duke lënë të vrarë atë dhe dy persona të tjerë, ndërsa pjesën tjetër të familjes i detyruan që të largohen nga shtëpia e tyre dhe t’ju bashkohen kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptarë dhe nacionaliteteve tjera, dhe me dhunë të largohen nga Gjakova.
Kurse, në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet që i pandehuri Shujak së bashku me forcat policore dhe ushtarake serbe, plaçkitën dhe shkatrruan pasurinë e familjes Dyla, në atë mënyrë që në ditën e incidentit, pasi që vranë dhe dëbuan viktimat të përshkruara si në dispozitivin e parë dhe të dytë të kësaj aktakuze, fillimisht plaçkitën shtëpinë e familjes Dyla, dhe disa shtëpi të tjera përreth saj dhe në fund i dogjën ato, duke iu shkaktuar kështu viktimave dëm shumë të madh material.
Më këtë, Jusuf Shujak ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullatës civile”, e sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.