Prokuroria thotë se është vërtetuar fajësia e ish-zyrtarit të ATK-së, mbrojtja kërkon aktgjykim lirues

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Malush Kelmendi në cilësinë e zyrtarit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), akuzohet për korrupsion. Prokurori Zef Prendrecaj kërkoi dënimin e tij, kurse mbrojtësi Fatmir Kurmehaj kërkoi të shpallet aktgjykim lirues.
Filimisht, në këtë seancë kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ertan Sejfulla njoftoj se prokurori i rastit Zef Prendrecaj, përmes e-mailit ka dorëzuar kopje të librit të protokollit të kërkuar nga seanca e kaluar nga kjo Gjykatë. Ndërsa, më pas u administrua si provë e re në këtë procedurë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurori Prendrecaj deklaroi se nga kjo kopje e librit të protokollit, askund nuk figuron numri 554, që sipas tij, vërteton në mënyrë të pakontestuar se numri i vendosur në certifikatën e lirimit nga barra tatimore është fiktiv.
Lidhur me provën e dorëzuar nga prokurori, u deklarua edhe vetë i akuzuari Kelmendi, i cili tha se edhe në deklarimet e mëparshme kishte theksuar se librat e protokollit gjenden në korridor dhe mund të jenë përdorur disa të tillë njëkohësisht.
“Edhe në dekarimet e mëparshme e kam cekur se librat e protokollit ndodhen në korridor, si dhe faktin tjetër se aty jemi katër divizione dhe shpesh është punu me disa libra të protokollit”, tha Kelmendi.
Prokurori dhe mbrojtja e të akuzuarit ia dorëzuan me shkrim fjalën përfundimtare trupit gjykues, ndërsa e elaboruan shkurt.
Prokurori Prendrecaj tha se nga provat materiale dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve është vërtetuar në mënyrë të pakontestueshme se tani i akuzuari ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Ai i propozoi kësaj Gjykate që të akuzuarin Kelmendi ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Kelmendi, avokati Fatmir Kurmehaj në elaborimin e fjalës përfundimtare i propozoi trupit gjykues që në mungesë të provave të shpallë aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.
Sipas aktakuzës së ngritur në tetor të vitit 2023, i pandehuri Malush Kelmendi akuzohet se më 19 maj 2023, në cilësinë e zyrtarit tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës, në zyrën e tij, ka marrë veprime të paautorizuara, duke krijuar dokumentin – certifikatën e lirimit të barrës tatimore, të njëjtin dokument e ka plotësuar, e ka vulosur dhe nënshkruar pa qenë zyrtar i autorizuar, në këtë rast kolegu i tij, Arsim Ibrahimi përgjegjës për kryerjen e një veprimi të tillë.
Me këtë, i akuzuari Kelmendi akuzohet ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të njëjtës aktakuzë, thuhet se i akuzuari Kelmendi, në të njëjtën datë si më lartë, si person zyrtar, në dokumentin zyrtar- certifikatën e lirimit të barrës tatimore, ka shënuar të dhëna të rreme për biznesin N.T.SH “Jeta Medipharm”, me pronar Afrim Radoniqi, të cilin dokument e ka plotësuar, me vulë e ka vërtetuar dhe nënshkruar, ia ka vendosur vulën katrore, e ka keqpërdorur vulën e protokollit, duke regjistruar dhe duke i dhënë një numër protokolli fiktiv (numrin 554), i cili dokument nuk figuron i regjistruar në librin e protokollit në Drejtorinë e Mbledhjes së Detyrueshme.
Tutje, thuhet se këtë dokument që përmban plotësisht të dhëna të rreme, e ka dorëzuar personalisht më 19 maj 2023 në Zyrën e Kadastrit në Pejë, me qëllim që subjektit tatimor, pronarit Afrim Radoniqi, t’i zhbllokohen pronat të cilat ATK-ja ia kishte bllokuar për shkak të obligimeve tatimore.
Sipas aktakuzës, me këto veprime, i pandehuri Kelmendi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 paragrafi 1 i KPRK-së.