75 Mall Live Search
18:00 / E Martë, 14 Tetor 2025 / F.R

Prokuroria zbardh dinamikën e vrasjes së gjyqtarit në Tiranë

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur të plotë dinamikën e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit pak ditë më parë. Sipas të dhënave zyrtare dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë, atentati është kryer me gjakftohtësi nga një i afërm i një të pandehuri.

Ngjarja e rëndë ndodhi në sallën nr. 3 të Gjykatës së Tiranës, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin. Brenda sallës ndodheshin Gjon Shkambi dhe nipi i tij, Elvis Shkambi, si dhe Ragip dhe Ervis Kurtaj pala tjetër në gjyq. Sipas hetimeve, autori i dyshuar, Elvis Shkambi, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri të tipit pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit, duke i shkaktuar atij plagë të rënda që rezultuan fatale.

Pas këtij akti, Shkambi ka drejtuar armën edhe ndaj dy personave të tjerë në sallë, Ragip Kurtajt dhe Ervis Kurtajt, të cilët tentuan të largoheshin. Ai qëlloi sërish, duke plagosur Ervis Kurtajn në krahun e djathtë dhe Ragip Kurtajn në pjesën e brinjëve.

Gjatë hetimeve është sekuestruar arma e zjarrit e përdorur në ngjarje – një pistoletë me mbishkrimin “Welt Waffen W. Germany, Cal. 765 mm, Browning”. Brenda armës u gjet një fishek i gatshëm për qitje në folenë e saj, ndërsa në krehër ndodheshin edhe dy fishekë të tjerë.

Në vijim të kontrolleve, policia ka identifikuar dhe sekuestruar në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë një automjet të markës “Mercedes-Benz”, me targa AA900AA, në pronësi të Gjon Shkambit. Brenda makinës janë gjetur dhe sekuestruar 31 fishekë manovër të kalibrit 9 mm.

Motivi i vrasjes

Objekt i vrasjes dhe konfliktit është godina e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen “Skanderbeg”. Në këtë ndërtesë janë strehuar 31 familje që në vitin 1992. Por në vitin 2012, Gjon Shkambi shfaqi pretendime për pronën me argumentin se është pasuri e trashëguar brezë pas brezi.

Siç rezulton, 31 familjet u strehuan në këtë godinë 33 vite më parë nga Bashkia e Shkodrës. Por banorët thonë se Gjon Shkambi që pretendon pronësinë mbi ndërtesën, ka dokumente false.