75 Mall Live Search
19:11 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / F.R

Prokurorja e Parisit: Të dyshuarit për grabitjen në Muzeun e Louvre ishin amatorë, jo profesionistë

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, ka bërë të ditur se grabitja në Muzeun e Louvre në Paris u krye nga autorë vendas dhe jo nga anëtarë të rrjeteve të krimit të organizuar, teksa hetimet për vjedhjen e bizhuterive me vlerë 88 milionë euro po vazhdojnë.

Dje, Beccuau për radion ‘Franceinfo’ tha se të dyshuarit aktualisht të akuzuar janë “njerëz vendas” nga Seine-Saint-Denis, një periferi e kryeqytetit francez.

“Kjo nuk është krejtësisht delikuencë e zakonshme, por është një lloj delikuencë që zakonisht nuk e lidhim me nivelet e larta të krimit të organizuar”, tha ajo.

Komentet vijnë dy javë pasi një grup hajdutësh parkuan një kamion të vjedhur jashtë Muzeut të Louvre, përdorën një ashensor orendish për të arritur në katin e parë dhe hynë me forcë në një nga dhomat më me shumë ornamente të muzeut.

Brenda pak minutash, ata ikën me skuterë me xhevahire mbretërore, përfshirë një gjerdan me smerald dhe diamant që Napoleoni I ia kishte dhuruar dikur gruar së tij, Marie Louise, si dhe me një diademë që i përkiste Perandoreshës Eugenie, gruas së Napoleonit III.

Beccuau konfirmoi se të paktën një individ mbetet i lirë, katër persona janë akuzuar deri më tani, përfshirë një burrë 37-vjeçar dhe një grua 38-vjeçare, ADN-ja e të cilëve thuhet se u gjet në ashensorin e përdorur në grabitje.

Burri është akuzuar për vjedhje të organizuar dhe konspiracion kriminal, ndërsa gruaja përballet me akuza për bashkëpunim në vjedhje të organizuar.

Prokurorja i përshkroi ata si një çift me fëmijë që “mohuan çdo përfshirje”. Gruaja u paraqit në gjykatë të shtunën dhe shprehu shqetësim për sigurinë e familjes së saj.

Dy burra të tjerë, përkatësisht të moshës 34 dhe 39 vjeç, u arrestuan më herët dhe u akuzuan për vjedhje dhe konspiracion kriminal. Të dy kishin dënime të mëparshme për vjedhje dhe prokurorja tha se ata e kishin “pranuar pjesërisht” përfshirjen e tyre.

Tre persona të tjerë të ndaluar me çiftin më 29 tetor, u liruan më vonë pa akuza.

Beccuau tha se hetuesit ende po punojnë për të gjetur bizhuteritë e humbura.

“Ne po shqyrtojmë të gjitha mundësitë në tregun paralel për shitjen e këtyre bizhuterive. Ato mund të përdoret për pastrim parash ose tregti. Të gjitha pistat po shqyrtohen”, tha ajo.