12:18 / E Martë, 16 Shkurt 2021 / OSH

Prokurorja: Kemi shumë dëshmitarë në procesin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Ka nisur  konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes së ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në këtë seancë prokurorja e rastit ka treguar se tashmë kanë një numër të madh dëshmitarësh, deklaratat e të cilëve do t’i përdorin gjatë procesit gjyqësor.

“Nuk është konstatuar nëse ne do t’i përdorim këta persona në gjyq. Siç kemi thënë më përpara, parashikohet që shumica e këtyre dëshmitarëve do të përdoren në gjyq. Jemi në proces se provat e tyre do t’i bëjmë të njohura kur të jetë momenti i duhur. Ato që janë nxjerrë deri tashti janë materiale që e mbështesin aktakuzës, të tjerat do të nxirren në momentin e duhur konform afateve ligjore”, tha ajo.

Ndryshe para kësaj konference, Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka kërkuar sërish që fillimi i gjykimit të jetë në shtator të vitit 2021.