Prokurorja Pula mban takim përmbyllës me përfaqësues të Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga BE
Përfaqësues të Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EEM), kryesuar nga analistja ligjore e këtij misioni, Eirini Skouzou, vizituan sot Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u pritën në takim nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.
Gjatë këtij takimi u diskutua për rrjedhën e procesit zgjedhor për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Pula ka informuar të pranishmit për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
“Po ashtu gjatë këtij takimi përmbyllës u diskutua për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që janë ndërmarr në rastet e cenimit të procesit zgjedhor, duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor, në mes të institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve dhe janë njoftuar me ecurinë e të gjitha rasteve të cilat janë në hetim e sipër”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EEM), informuan për angazhimin dhe për rolin e tyre në procesin zgjedhor.

