18:23 / E Enjte, 07 Janar 2021 / Blerim

Pronarët e bizneseve në Bresje në hall nga përmbytjet, thonë se Komuna s’po u gjen zgjidhje

Mjafton një rrëbesh i shiut dhe bodrumi i këtij objekti banesor në Bresje të Fushë-Kosovës përmbytet nga uji.

Por, kjo problematikë, s’është tashti, sipas banorëve ata përballen prej afro një dekade, e në ndihmë s’po u vjen askush.

Kështu të paktën thotë, Faton Topilla, pronar i një biznesi që operon në këtë objekt. Ai thotë për IndeksOnline se kjo gjendje e tregon më së miri atë çfarë po ndodh.

“Ky problem është prej 10 vjetësh. Të njëjtin problem e kemi sidomos kur ka shi dhe vërshime. Nuk kujdeset askush. Bëjmë thirrje nga 20 e 30 herë, Komuna del nga dritarja vetëm e shikon. Shumë shpesh nuk intervenon, vetëm nëse kanë të njofshëm. Kjo është gjendja faktike e sotit.

Jemi 4 biznese, por ka edhe familjarë. Komshinjtë më kanë thirrur, që i kanë frizat në rrymë në podrume, janë të rrezikuar nga rryma”.

Ai thotë se për shkak se uji ka depërtuar brenda lokalit, i është dashur që të shpenzonte mijëra euro për ta ndërruar inventarin.

“Mu personalisht po ma dëmton biznesin, i kam mjetet  e prishura, i kam të gjitha fotot. Prej 10 vjetësh që kam ndërruar dy herë inventarin në lokal, së paku më kanë kushtuar 3.000 euro dëme dhe askush s’është përgjigjur.

Asnjëherë komuna s’më ka mbështet si biznes personalisht mua nuk e di se pse.

“Kanë thanë në komunë se kemi do ta bëjmë një zgjidhje, por po shihet gjendja reale. Është edhe pakujdesia e qytetarëve, po bllokohet edhe një pjesë e kanalizimit, mirëpo pjesa më e madhe duhet të intervenohet”.

Ky objekt banesor ndodhet pikërisht përballë Komunës së Fushë-Kosovës. Ndërsa pamjet që po shihni janë të realizuara pasditen e sotme./IndeksOnline