Propozimi për emrin e palestrës në Istog, reagon Besim Mulaj: Hap i nxituar, ka prapavijë elektorale!

Janë bërë disa propozime lidhur me emrin e palestrës së sporteve në Istog, përfshirë dhe bartjen e emrit të dëshmorit Mentor Dervishaj.
Lidhur me këtë ka reaguar kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Besim Mulaj.
Përmes një postimi në Facebook, Mulaj, që njëherazi është edhe doktor shkence, deklaroi se futja e emërtimit të palestrës në rend të ditës në takimin e Asamblesë komunale, është hap i nxituar dhe i motivuar nga prapavija elektorale.
“E mbështes plotësisht reagimin dhe sqarimin e Kryesuesit të Asamblesë Komunale në Istog, z. Enver Rugova, i cili ishte profesional, njerëzor dhe i bazuar në ligj.
Për mua dhe LDK-në, dëshmorët e kombit janë të shenjtë. Ata qëndrojnë mbi partitë politike dhe fushatat elektorale. Propozime të tilla, me tone elektorale, i konsiderojmë të paqëndrueshme dhe joparimore”, shkroi Mulaj në reagimin e tij.
Ky është postimi i plotë:
Reagim!
Lidhur me propozimin e një anëtari të Asamblesë Komunale në Istog, nga një subjekt opozitar, për të futur në rend dite emërtimin e Palestrës së Sporteve me emrin e dëshmorit Mentor Dervishaj – dhe atë në kohë fushate, pa respektuar procedurat dhe bazën ligjore – konsideroj se ky është një hap i nxituar, i motivuar nga prapavija elektorale.
E mbështes plotësisht reagimin dhe sqarimin e Kryesuesit të Asamblesë Komunale në Istog, z. Enver Rugova, i cili ishte profesional, njerëzor dhe i bazuar në ligj.
Për mua dhe LDK-në, dëshmorët e kombit janë të shenjtë. Ata qëndrojnë mbi partitë politike dhe fushatat elektorale. Propozime të tilla, me tone elektorale, i konsiderojmë të paqëndrueshme dhe joparimore.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit!
Prof. Dr. Sci. Besim Mulaj