Protesta e bizneseve të vogla u shty, Komuna po e shqyrton kërkesën e tyre

Protesta e Shoqatës “Bizneset e vogla”, e paraparë të mbahej sot, u shty për afat të pacaktuar.
Ishte paralajmëruar protestë, siç thuhej, kundër diskriminimit në shfrytëzimin e hapësirës publike dhe veprimeve selektive dhe të padrejta të Inspektoratit të Komunës së Prishtinës ndaj bizneseve të vogla.
Përfaqësuesi i Shoqatës “Bizneset e vogla”, Sadudin Hasani, tha se shtyrja e protestës u bë për shkak se janë në kontakt më Komunën e Prishtinës dhe po presin zgjidhje të problemit.
Por, pohoi se çfarëdo zvarritje është me pasoja për këto biznese të vogla, të cilat varen nga frigoriferët.
“Komuna po i shqyrton dokumentet, me të cilat kemi aplikuar. Po presim që Komuna të bëjë më të mirën të mundshme. Ne kemi menduar se na është refuzuar kërkesa edhe për herë të dytë , por doli se kërkesa është duke u shqyrtuar.
Koha po na dëmton se bizneset tona të vogla varen nga frigoriferët. Kishim planifikuar protestë, bile dhe grevë, por po i japim mundësi bisedimeve”, tha Hasani.