Protesta e gastronomeve përmes fotografisë

Punëtorë e pronarë të lokaleve të shumta të Kosovës janë bërë bashkë sot para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Në mënyrë simbolike ata hodhën çelësat e lokaleve të tyre në drejtim të qeverisë, pasi po kërkojnë t’u plotësohen kërkesat dhe t’u ofrohen ndihmë financiare në përballimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Gjatë kësaj proteste pati edhe numër të madh të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët po përcillnin nga afër zhvillimin e saj.
Madje nga Policia e Kosovës u ripërsërit rreziku i përhapjes së virusit COVID-19, ku u kërkua që protestuesit të shpërndahen në të kundërtën do të arrestohen, shkruan Indeksonline.

Pas kësaj përfaqësues të Gastronomisë u futën në Qeveri, për të diskutuar lidhur me kërkesat e tyre.
Kryetari i Gastronomisë së Kosovës, Petrit Kllokoqi në anën tjetër deklaroi se Qeveria s’po ua zgjatë dorën për t’i dalë në ndihmë.
“Mirëdita sektori i dytë më i madh i punësimit të Kosovës, mirëdita 30 mijë punëtorë të Kosovës, mirëdita gastronomë. U bënë katër muaj që s’kemi mbështetje nga shteti, katër muaj që shteti jonë s’po na e jep dorën. Shteti që na ia dhamë e po ia japim taksën, shteti që ia shtuam vlerën, ia pritëm mysafirët, e ia punësuam rininë. Krejt ia bëmë e ata s’po na e dhënë dorën.Riprogramim të kësteve të kredisë, lehtësira për qasje në mjete financiare, përkrahje për paga dhe qira edhe për së paku tre muaj, ulje të TVSH-së në 8% përkohësisht, zgjatje të orarit të punës, shtyrje për deklarim të pagesave të tatimeve për së paku edhe tre muaj, mbështetje në shpenzimet e rrymës, ujit dhe mbeturinave, si dhe mbështetje në kompensim të mallit të dëmtuar”, tha Kllokoqi.

Indeksonline u sjell fotografi dhe video nga kjo protestë:













