75 Mall Live Search
11:28 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

Protesta e ish ushtarëve të UÇK-së, ata tregojnë se kush i ka fryrë listat e veteranëve (Video)

Një grup i ish-ushtarëve të pakënaqur të UÇK-së, kanë mbajtur sot një protestë simbolike, në të cilën edhe shpalosen tri kërkesat e tyre, duke përfshirë edhe pastrimin e listave të veteranëve.

Protesta u mbajt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në orën 11:00.

Jeton Selmani, veteran nga Zona e Llapit ka thënë se ata janë tejet të pakënaqur me gjendjen në të cilën ata janë lënë.

Kështu, ai ka fajësuar edhe përfaqësuesit e Shoqatave të Veteranëve duke thënë se edhe ata janë manipulues të mëdhenj.

“Lusim përfaqësuesit qeveritarë që të ngritin zërin kundër degradimit të vlerave të luftës dhe i bëjmë thirrje prokurorisë që të na thirrin dhe të dëshmojmë. Kemi shoqata, po nuk kemi shoqata, sepse ata përfaqësojnë 45 mijë veteranë të rrejshëm dhe ata janë manipulues të rrejshëm. Për këtë proces të gjithë jemi fajtorë dhe sot kemi thirrur këtë protestë simbolike dhe nuk do t’i ndalim protestat”, tha Selmani.

Madje ai ka thënë se korrupsioni më i madh që është bërë deri më tani, është bërë me listën e veteranëve.

Ndërsa Bajram Jahja, nga Mitrovica ka fajësuar Rrahman Ramën për fyerjen e listave.

Sipas tij, ai dhe të tjerët kanë fryrë listat duke i futur familjarët e tyre në listën e  veteranëve.

Kështu, ai thotë se nuk janë të kënaqur aspak me gjendjen në të cilën kanë përfunduar veteranët që kanë luftuar.

“Protesta e ish ushtarëve të UÇK-së, tregojnë se kush i ka fryrë listat. Ne që kemi luftuar ne jemi “sokaqeve’ e kemi nga një punë po s’jemi askund. Këta i kanë fryrë listat dhe i kanë futë familjarët e tyre. Ndërsa njerëzit që kanë merita nuk janë askund. Ndoshta s’kemi dhe shumë merita, por të paktën të kemi respekt. Në institucione  i futen këta të korruptuarit dhe ata po na shkelin neve. I bëjmë ftesë NATO-së, KFOR-it dhe Amerikës që ta na çlirojnë nga kjo situatë. Pagat i kanë rrit për vete, ndërsa ne me 200-300 euro si mund të jemi të kënaqur? Me Rrahman Ramën kemi qenë në një vend, kemi luftuar bashkë. Ndërsa tash ai ka fryrë listat së bashku me të tjerët duke i futur në listat e veteranëve edhe familjarët”, ka thënë ai.

Ndryshe, ata kanë kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se duhet të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

Ndryshe kërkesat e protestuesve ishin:

1.  Pastrimin e listave te veteranëve,

2.  Njohja e statutit të invalidit të gjithë atyre qe si pasojë e luftës  vuajnë nga sëmundjet e ndryshme,

3. Shkarkimi i komisionit invalidor i tanishëm, i cili luftëtarët e vërtetë po i konsideron si kriminelë dhe po jua refuzon njohjen, kurse ata që i kanë blerë certifikatat me lekë po e kalojnë shkallën e invalidit./Indeksonline/